Kosova

Ringrihet Kulla e Çunmulajve dhe kthehet në muze të Malësisë


Foto: Zëri i Amerikës

Në Hot të Malësisë së Madhe – rajon i banuar me shumicë shqiptare në Mal të Zi – është zhvilluar ceremonia e përfundimit të punimeve për ringritjen e kullës së mirënjohur të fisit të Çunmulajve, e cila është shndërruar në Muze të Malësisë.

Çunmulajt janë ndër fiset më të shquara shqiptare, të cilët kanë nxjerrë figura të rëndësishme kombëtare. Ky fis shquhet për përpjekjet e tyre në mbrojtje të identitetit dhe trojeve shqiptare.

Ndër personalitetet më me nam nga ky fis është edhe Çun Mula, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) – organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane.

Çun Mula (1818-1896) ka qenë bajraktar i bajrakut të Hotit. Çun Mula ishte vënë në krye të fiseve nga Malësia, duke i udhëhequr ata me guxim dhe besnikëri në luftërat e shumta kundër serbo-malazezëve dhe forcave osmane, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit (13 qershor 1878).

Çun Mula ishte njëri nga 15 delegatët shqiptarë nga Shqipëria veriore të dërguar gjatë bisedimeve të Kongresit te Berlinit, ku u ndan trojet shqiptare.

Kulla e Çunmulajve ishte braktisur dhe gati rrënuar plotësisht gjatë periudhës së komunizmit, derisa, siç kishin vepruar edhe me familjet e tjera patriotike, edhe ata i kishin burgosur e internuar.

Ceremonia e përurimit të përfundimit të punimeve për ringritjen e Kullës së Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në muze, siç raporton “Zëri i Amerikës”, mblodhi në Hot të Malësisë së Madhe banorë të Malësisë, të Shkodrës, Tuzit e Trieshit si dhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, të cilët kontribuuan për ringritjen e kullës.

Pllakën me mbishkrimin “Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu Malësia e Madhe” e zbuloi kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj së bashku me nismëtarin për ringritjen e kullës, drejtuesin e shoqatës “Kulla e Bajraktarëve të Hotit”, Arjan Bajraktarin.

Në fjalën e tij, Arjan Bajraktari, vlerësoi faktin se kjo nisëm kulturore dhe historike gjeti mbështetjen masive të malësorëve, në të dy anët e kufirit, por edhe në diasporë duke i dhënë kështu Malësisë një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të vet.

“Në atë ditë jo të largët, 12 shkurtit 2022, këtu në Hot, në këtë oborr, në çeljen e fushatës ku donator i parë ishte Mark Gjoku Ulaj që dhuronte 5 mijë dollarë në emër të vëllazërisë së tij, ndoshta askush nuk e mendonte se kjo fushatë për mbledhjen e fondeve do të merrte përpjesëtime kaq masive sa do të mund të arrinim sot, më 16 gusht 2024, të inauguronim përfundimin e punimeve të rinovimit të kullës, për më tepër, me një koncept muzeal modest”, tha ai.

Kulla e Çunmulajve, në Hot të Malësisë së Madhe, i ka fillet e saj rreth viteve 1770-1780 për të rrugëtuar gjatë shekujve duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Malësisë dhe kombit shqiptar përmes prijësve dhe luftëtarëve popullorë të Çunmulajve, të cilët i prijnë Hotit dhe Malësisë në luftërat kundër ushtrive osmane dhe atyre malazeze në mbrojtje të kufijve kombëtar.

Për ringritjen e Kullës së Çunmulajve, siç raporton “Zëri Amerikës”, kanë dhënë kontributet e tyre financiare rreth 500 persona nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Mal të Zi, Evropa, Kanadaja dhe SHBA.

Kulla dy katëshe e Çunmulajve tashmë shfaqet e ringritur në mes të fushës së Hotit, pranë kishës së ndërtuar disa vite më parë, edhe ajo me kontributin e shqiptarëve të Amerikës.

Një nga personalitet më të rëndësishme të kësaj kulle Çun Mula, ishte bashkuar nacionalistët shqiptar të Lidhjes së Prizrenit pas vendimit të Kongresit të Berlinit për t’ia dhënë rajonet shqiptare si Hoti, Gruda, Plava , Gucia, Kastrati etj, Principatës së Malit të Zi.

Kur Princ Nikolla I i Malit të Zi hyri në territorin i cili i ishte caktuar atij nga Kongresi i Berlinit, Mula dhe patriotët e tjerë nga Malësia organizuan një rezistencë kundër Malit të Zi. Malësorët e veriut shqiptarë mundën malazezët në Betejën e Nokshiqit.

Nga dëshmi të ndryshme, rezulton se Çun Mula ka marrë pjesë si ushtar i Perandorisë Osmane në luftërat e Krimesë (tetor 1853 deri në shkurt 1856) e Moresë.

Nga nami që kishte krijuar, Çun Mula në vitin 1878, nga paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe u zgjodh si përfaqësues i tyre në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.

Në këtë kuvend, Çun Mulës iu ishte caktuar edhe funksioni i Komandantit të forcave vullnetare ushtarake për gjithë Malësinë e Madhe. Një nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula, ku dhe u shqua për guximin e treguar, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malësorët vullnetarë që komandonte i mposhti forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi.

Disa vjet më pas, Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë.

Një nga betejat më të njohura të Çun Mulës kundër forcave osmane, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapedan Hodo Beg Sokolit i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qendër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore