Kosova

Richard Caplan intervistë për Albanian Post: Refuzimi i Asociacionit nga Kosova do t’i jepte argumente Serbisë


Richard Caplan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka thënë se nuk do ta pranojë çfarëdo Asociacioni që përmban kompetenca ekzekutive dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Por, profesori nga Universiteti i Oxfod’it, Richard Caplan, në një intervistë për Albanian Post, thotë se refuzimi i këtij mekanizmi nga ana e Prishtinës zyrtare, do t’i jepte argumente Serbisë, dhe kështu do të drejtonte akuza në drejtim të Kosovës, duke thënë se “nuk mund t’i besohet në negociata”.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një dispozitë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e negociuar dhe nënshkruar nga Serbia dhe Kosova. Ndërsa ka disa rreziqe me krijimin e një Asociacioni, por sipas mendimit tim, këto janë rreziqe të menaxhueshme. Nuk do të ishte e duhur nga ana e Kosovës që ta refuzonte këtë dispozitë, pasi kjo do t’i lejonte Beogradit të argumentonte se Kosovës nuk mund t’i besohet në negociata”, beson Caplan.

Ndërkaq, për rrezikun e instrumentalizimit të serbëve të Kosovës përmes këtij mekanizmi, ai u shpreh se “tanimë ka dekada që serbët e Kosovës janë instrumentalizuar nga Beogradi”.

Madje, ai vuri në pah se “Asociacioni nuk do të ndryshonte asgjë në këtë drejtim”, dhe pohoi se “do të prisja që Beogradi të kërkonte të shfrytëzonte çdo mundësi për të ushtruar ndikimin e tij mbi dhe përmes Asociacionit”.

Gjithashtu, profesori potencoi se plani franko-gjerman (evropian), ashtu siç edhe është thënë nga të tjerët më herët, është i ngjashëm me planin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy Gjermanive, asaj Perëndimore dhe asaj Lindore në vitin 1972.

“Rezultate të ngjashme mund të arriheshin për Serbinë dhe Kosovën me propozimin franko-gjerman, duke hapur kështu rrugën drejt njohjes reciproke. Një ndryshim kritik është se kjo nuk do të lehtësonte domosdoshmërisht rrugën drejt anëtarësimit në BE për Kosovën”.

Caplan foli edhe për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë, sidomos qasjen e kësaj të fundit ndaj Moskës zyrtare pas agresionit në Ukrainë, duke thënë se ka pasur dy qëndrime, një përmes votës së saj në OKB, e tjetrën për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

“Serbia e ka dënuar agresionin rus kundër Ukrainës më 23 shkurt, atëherë kur votoi në mbështetje të rezolutës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që bënte thirrje për t’i dhënë fund luftës dhe kërkonte që Rusia të largohet nga territori ukrainas. Megjithatë, deri më sot Serbia nuk i ka vendosur ende sanksione kundër Rusisë, duke pohuar se nuk ishte në interesin e Serbisë ta bënte këtë. (Serbia mbështetet shumë tek Rusia për furnizimin e saj me naftë dhe gaz)”.

Mirëpo, profesori i të drejtës ndërkombëtare ka vërejtur “shenja pozitive” nga ana e Serbisë për të lëvizur nga ky drejtim, duke e rikujtuar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç ku kishte deklaruar me 25 janar se “nëse do të vendosim sanksione për Rusinë është një çështje tjetër, nuk është çështje kohe apo afatesh, është një çështje që ka të bëjë me interesat tona politike dhe ekonomike”.

Por, sipas studiuesit të paqes në vende post-konflikt, “refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë mbetet një nga pengesat kryesore për anëtarësimin në BE”.

Ndryshe, nacionalistët serbë vazhdimisht kanë bërë thirrje në drejtim të presidentit serb për të mos e pranuar planin evropian, dhe nga shumë kush është thënë se Vuçiç do ta humbasë mbështetjen në publik, mirëpo profesori bënë një analogji me marrëveshjen e Prespës e vitit 2018 (marrëveshje në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë), duke nënvizuar se njëjta mund të ndodh edhe tani sa i përket pranimit të realitetit nga popullsia.

“Unë do të prisja që Vuçiç të humbiste mbështetjen në mesin nacionalistëve serbë, por nuk mund të parashikoj se cili do të ishte efekti më i gjerë në elektoratin serb. Këtu mund të ketë mësime përkatëse nga marrëveshja e Prespës e vitit 2018, e cila çoi në normalizimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja fillimisht ishte e papëlqyeshme midis grekëve dhe maqedonasve të veriut, por me kalimin e kohës u pranua nga të dyja popullsitë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore