Lajme

Restaurimi i kullës mesjetare të anuar të Bolonjës do të zgjasë 10 vjet


Puna për të parandaluar shembjen e një kulle të pjerrët mesjetare në zemër të qytetit verior italian të Bolonjës do të kushtojë 20 milionë euro.

Dhe do të zgjasë të paktën 10 vjet, ka bërë me dije kryebashkiaku.

Fundjavën e kaluar, qyteti zbuloi një projekt prej 4.3 milionë eurosh për të mbështetur kullën Garisenda – një nga dy kullat e qytetit që ka ofruar frymëzim ndër shekuj për piktorët dhe poetët dhe një vend vëzhgimi gjatë konflikteve.

Zona përreth saj u rrethua muajin e kaluar, për shkak të shqetësimeve në rritje të ekspertëve për rrezikun e shembjes.

Kulla Garisenda ka marrë një pjerrësi në 4 gradë, krahasuar me 3.9 gradë e Kullës së Pizës më të famshme të Italisë.

“Unë mendoj se ne do të shpenzojmë jo më pak se 20 milionë euro, ndoshta më shumë” për të restauruar dhe konsoliduar kullën, ka thënë kryebashkiaku Matteo Lepore në një konferencë shtypi në bashkinë e Bolonjës.

“Për kullën e Pizës u deshën 10 vjet për ndërhyrjen dhe projektin. Nuk kemi arsye të themi se do të na marrë më pak”, ka shtuar ai.

Kulla Garisenda e shekullit të XII-të është një nga dy kullat e Bolonjës, me përmasa 48 metra dhe që qëndron pranë Asinelli që është më i gjatë.

Agjencia italiane e mbrojtjes civile ka dhënë një alarm “të verdhë” për zonën përreth dy kullave, që do të thotë se është nën vëzhgim, por mendohet se nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për sigurinë e njerëzve.

Ekzistojnë dy nivele të mundshme më të larta alarmi, “portokalli” dhe “i kuq”.

Lepore ka thënë në një debat në fillim të këtij muaji se kulla Garisenda ishte anuar që kur u ndërtua dhe ka qenë një shqetësim që atëherë.

Ajo pësoi dëme shtesë në epokën mesjetare kur u ndërtuan furrat e hekurit dhe furrat e bukës.

Sakaq, kryebashkiaku i ka kërkuar qeverisë që të bëjë peticion për t’i bërë kullat vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Puna për përforcimin e të dy kullave ka vazhduar që nga vitet 1990.

Puna paraprake në kullën Garisenda do të përfshijë krijimin e një zone kontrolli për të parandaluar çdo dëmtim të strukturave aty pranë ose dëmtim të kalimtarëve nga një kolaps i mundshëm.

Kullat Garisenda dhe Asinelli janë emëruar sipas familjeve rivale që i ndërtuan ato, që besohet se kanë qenë një mënyrë për të konkurruar mbi fuqinë dhe pasurinë e tyre dhe ndodhen në atë që ishte hyrja e qytetit.

Garisenda fillimisht ishte 60 metra, por duhej të ulej pasi filloi të anohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore