Kosova

Realitet apo rrëfenjë mitike: Çfarë thonë analistët për kritikën e Lajçakut?


Mirosllav Lajçak

Në përpjekje për të gjetur fajtorë për mungesën e progresit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, ndër të tjera, ka përmendur edhe shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, të cilat, sipas tij, nuk janë të gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet vete.

E për njohësit e çështjeve politike, ky argument, i cili është popullarizuar së fundi nga diplomatët perëndimorë, ka shërbyer për një kohë të gjatë për të justifikuar dështimin për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis dy fqinjëve që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, nuk është plotësisht i saktë, duke marrë parasysh dallimet në faktorët kryesorë të normalizimit.

Aidan Hehir, ligjërues në Universitetin e Westminsterit në Londër të Britanisë së Madhe, duke e cilësuar pretendimin e Lajçakut veçse “interpretim modern” të mitit se popujt e Ballkanit Perëndimor kanë shumë urrejtje, saqë nuk mund të jetojnë pranë njëri-tjetrit, shton se në kontekstin e dialogut, nuk kanë faj shoqëritë, por liderët serbë që nuk dëshirojnë paqe.

“Ngërçi vjen për shkak të refuzimit të qeverisë së Serbisë për t’u angazhuar ndershëm në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja. Serbia ka prishur vazhdimisht marrëveshjet dhe ka vepruar në mënyrë agresive kundër Kosovës. Natyrisht është e pamundur që palët të arrijnë një marrëveshje nëse njëra nuk respekton të drejtën e tjetrës për të ekzistuar”, nënvizon Hehir.

Hehir argumenton se rrënjët e problemit nuk janë në antagonizmin e ndërsjellë, por kryesisht në veprimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, instinktet politike të së cilit janë farkëtuar në epokën e udhëheqësve nacionalistë të linjës së ashpër në Serbi në vitet ’90, trashëgimia e së cilëve në minimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës vazhdon sot e kësaj dite.

“BE-ja ka zgjedhur të qetësojë Vuçiçin në vend që të përballet me nacionalistët e dhunshëm që janë aktualisht në pushtet në Serbi. Pra, së pari, faji është i Vuçiçit dhe së dyti i atyre në Perëndim që ndjekin politikën e qetësimit. Kosova e pavarur nuk paraqet kërcënim për askënd. Përkundrazi, nacionalizmi militant serb është kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Por, megjithëse dështimi kronik në dialog i atribuohet kryesisht politikave penguese të presidentit serb, drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale, Visar Ymeri, nënvizon se nxitja e frikës rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryesisht për qëllime elektorale, ka bërë që edhe shoqëria kosovare të refuzojë në një shkallë procesin e normalizimit.

Ymeri shton se refuzimi për të pranuar kompromisin e kërkuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje, i cili për Kosovën nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në sytë e bashkësisë së organizuar perëndimore shihet si sentiment “anti-serb” dhe rrjedhimisht, fajësojnë edhe kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për pengimin e normalizimit.

“Nga diplomatët perëndimorë kjo shihet si njëfarë avancimi i të drejtave për komunitetin serb që i bën ata të ndihen në shtëpinë e tyre, pra në Republikën e Kosovës, për t’i hapur rrugë kështu normalizimit e bashkëjetesës. Për kosovarët, ai paraqet Republikë Serbe në duart e Serbisë që ka për qëllim pamundësimin e integrimit dhe minimin e pavarësisë së Kosovës”.

“Asnjë shoqëri nuk mund të jetë plotësisht imune ndaj euforisë populiste e nacionalizmit regresiv. Rritja e frikës nga tjetri që bëhet përmes diskursit të papërgjegjshëm të krerëve politikë e rritë agresivitetin shoqëror kundër tjetrit nëpërmjet së cilit frikësohen njerëzit. Dhe kjo e pamundëson normalizimin e raporteve pavarësisht marrëshjeve politike e diplomatike”.

Shoqërisë në Kosovë i është thënë se procesi ka për qëllim normalizimin me Serbinë, dhe supozohet të përfundojë me njohje, në mënyrë që të vazhdojë drejt integrimeve, ndërkohë që shoqërisë në Serbi i është thënë se dialogu është për të zgjidhur të ashtuquajturën “çështje të Kosovës” thuajse ajo nuk ka status dhe për zgjidhjen e së cilës duhet të kërkohet miratimi i Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje vitin e kaluar nën lehtësimin e BE-së. Kosova megjithatë nuk ka pranuar që prioritet kryesor i ndërkombëtarëve të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet, kryesisht sa i përket mospengimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në muajt në vijim në dialog, mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet, apo liderët e Kosovës dhe Serbisë do t’i zbatojnë marrëveshjet në shërbim të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore