Kosova

Reagon AGK-ja pasi Kurteshi ka akuzuar mediat dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik”


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar si “shumë të rrezikshme dhe të papranueshme” gjuhën e anëtarit të partisë politike Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshit, pasi ky i fundit është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër mediave dhe gazetarëve.

“Duke komentuar reagimet për emërimin e zonjës Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, zoti Kurteshi, ka akuzuar mediat dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”, thuhet në reagim.

Sipas AGK-së, në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, Kurteshi ka shkruar se “AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!”.

Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it”.

“AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë”.

Ndryshe, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), përveç se të shqetësuar me zgjedhjen e Luljeta Aliut – mbështetësese e partisë në pushtet – anëtare e Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), kanë paralajmëruar se do ta njoftojnë Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të këtij institucioni për këtë zhvillim.

Nëpërmjet një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, nga kjo organizatë evropiane kanë thënë se ky zhvillim bie ndesh me premtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për depolitizimin e institucioneve të pavarura, ngase sipas tyre, zgjedhja e Aliut është një hap i madh drejt kapjes së KPM-së.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjedhur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur për Media. Aliu ka përkrahur rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikën e tyre. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”.

“Në dritën e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim, ne do të iniciojmë menjëherë shkëmbime me Këshillin e Evropës dhe APKE për t’i informuar ata për këtë zhvillim shqetësues që do të ketë ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore