Kosova

Rama takon Kryetarin e Bujanocit: Mbështetja për shqiptarët e Luginës është obligim


Përparim Rama dhe Arbër Pajaziti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është takuar me Kryetarin e Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ka theksuar se do t’i mbështesë qytetarët që jetojnë atje përmes projekteve të ndryshme, pasi që, siç ka theksuar ai, është obligim mbështetja për shqiptarët që jetojnë në Luginë.

“Kënaqësi e veçantë të pres, dhe t’i uroj për marrjen e detyrës Kryetarit të Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti. Vendosëm themelet e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit, kulturës dhe të shërbimeve publike”, shkroi Rama në Facebook.

Në veçanti, i pari i Prishtinës bëri të ditur se kryeqyteti do të mbështesë Komunën e Bujanocit me krijimin e inkubatorëve të biznesit për teknologji informative dhe të komunikimit.

“Është jo vetëm kënaqësi por edhe obligim i yni që të mbështesim shqiptarët atje”, shtoi.

Këtë, Rama potencoi se do ta bëjnë jo vetëm përmes shkëmbimit të përvojave, por duke gjetur mundësi për financimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Bujanocit.

Në fund, ai bëri të ditur se janë dakorduar se takimin e radhës ta mbajnë në Bujanoc.

Ndryshe, Arbër Pajaziti, para disa javësh është zgjedhur Kryetar i Bujanocit – komunë e banuar me shumicë shqiptare.

Në krye të Komunës, Pajaziti ka ardhur pasi që ka bërë koalicion me partitë serbe, përfshirë Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe atë rome.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga aparati shtetëror serb. Atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Madje, një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në raportet e Bashkimit Evropian, është pasivizimi i adresave që Serbia po ua bën shqiptarëve në Luginë, posaçërisht në Medvegjë.

Së fundmi, shqiptarët që jetojnë në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet e dinjitet, duke kërkuar kështu të drejtat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore