Shqipëria

Rama pyet: Nëse sovraniteti i Kosovës kërcënohet nga kërkesa ime për KFOR-in, pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët?


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi se thirrja e tij për marrjen e kontrollit në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it lidhet me arsyen “pse rrjeta e kufirit në këtë zonë është e çarë nga të katër anët”.

“Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet të shpjegojë pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët? Si hyjnë aq kollaj në atë zonë prej vitesh tanimë armatimet e panumërta?”, pyeti fillimisht kreu i Qeverisë.

Ai vijon me pyetjen se duke shtuar se çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet.

“Cila është rruga alternative e përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga aleatët strategjikë, për të garantuar rend ligjor, qetësi e sovranitet të plotë shtetëror në atë territor?”, u shpreh më tej kryeministri shqiptar.

Problemi i vërtetë, sipas Ramës, është se pikërisht sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës mund të lëndohet prej një rruge të tillë.

“Nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri anti-shtet për Republikën e Kosovës!”, thekson kryeqeveritari.

“Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovranitet, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas agjendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara dhe të varfëruara nga izolimi të banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash?!”, tregon në vijim Rama.

Për kryeministrin shqiptar, kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, duket si një “alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës”.

“KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës apo nuk e mbajnë më mend të gjithë këtë? – se helbete koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që të të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën!”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri.

Ai sqaroi se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore