Shqipëria

Rakacolli: Provimet mbahen në auditore


Pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Eskpertëve më 1 shkurt 2021, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se për momentin nuk do të ketë masa të reja shtrënguese ndaj Covid-19.

Rakacolli konfirmoi se ka një komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe brenda kësaj jave do të ketë një vendim lidhur me mundësinë, që të paktën provimet të zhvillohen në auditoret e universiteteve.

“Nuk janë respektuar siç duhet masat e distancimit fizik, mbajtja e maskave gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të janarit, prandaj kemi edhe rritje të numrave të të prekurve. Me rritjen e këtyre indikatorëve po vlerësohet shfaqja e mutacionit të ri. Deri më tani situata vijon të jetë e kontrolluar. Po punojmë me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar diçka konkrete në lidhje me provimet në universitete. Për këtë realizim do të kemi maksimumi një vendim brenda kësaj jave”, theksoi ajo.

Ministrja shtoi se do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.

“Do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një moment të dytë. Jemi në një moment delikat që lidhet me shirat. Kemi mundësinë e ndryshimit të virusit. Siç dihet ka një shtim të infektueshmërisë së tij. Qytetarët duhet të zbatojnë mbajtjen e maskave dhe masat e distancimit social dhe fizik”, tha Rakacolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore