Film

QKK-ja hapë thirrjen e propozimeve për edicionin e radhës të çmimeve “Oscars”


Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur thirrjen për propozimet e edicionit të 96-të të ceremonisë së çmimeve Akademike të “Oscars”.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare të Facebook, QKK-ja ka ftuar të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozimet e tyre në kategorinë e “Filmit ndërkombëtar në gjuhë të huaj”.

QKK ka zbuluar edhe afatin kohor të mundësisë së aplikimit, derisa ka bërë të ditur, se të drejt konkurrimi kanë filmat e metrazhit ë gjatë artistik, dokumentarët si dhe ata të animuar, veç se këta të fundit, duhet të jenë më të gjatë se 40 minuta.

“Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e Akademisë Oscar, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit”, thuhet në njoftim.

“Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema, apo VOD platformë, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023”, thuhet tutje.

Pos tjerash, QKK ka bërë me dije edhe veprimet që mund të penalizojnë filmat nga kualifikimi.

“Në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

“Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet Oscar. Shfaqje publike jashta kinemave konsiderohen të jetë (por nuk kufizohet vetëm në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarjet të DVD-ve, shpërndarjet gjatë fluturimeve ajrore, transmetimet në internet etj”, përfundojnë ata.

Kujtojmë se për të parën herë, Kosova ishte futur në listën e ngushtë të filmave pretendentë për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, me filmin “Zgjoi” në evenimentin prestigjioz të “Oscars”.

Në lidhje me këtë, regjisorja e filmit, Blerta Basholli bashkë me aktoren e rolit kryesor, Yllka Gashi e producentin, Ylli Uka, kishin nisur një kampanjë virtual promovimi të “Zgjoit” nëpër mediat sociale.

Ekipi organizativ i filmit patën realizuar një baner me sloganin – “Kosova’s Official Entry for Oscars (Hyrja Zyrtare e Kosovës për Oscars)”, bashkangjitur më disa hashtagë – këta të fundit për shpërndarje sa më virale të postimit.

Por, ani pse me kampanjë virale, “Zgjoi-t” i është fikur ëndrra për të qenë filmi i parë nga Kosova që nominohet zyrtarisht për ceremoninë më të madhe filmike “Oscars”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore