Kosova

Qeveria e Kosovës e vlerëson “vështirë të arritshëm” përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve në veri


Ilustrim

Në bazë të një raporti të miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ku flitet për mekanizmat e demokracisë lokale, ekzekutivi kosovar e ka konsideruar “vështirë të arritshëm” përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe përmes peticionit të qytetarëve serbë.

Kërkesa për largimin e kryetarëve shqiptarë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votuesve të regjistruar, porse në raportin e Qeverisë së Kosovës, përmbushja e këtij kriteri është vlerësuar vështirë i arritshëm, për dy arsye kryesore.

“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale”, thuhet në dokument.

“Si rrjedhojë, kriteri rigoroz për ndërmarrjen e nismave për shkarkim e bënë pozitën e fortë të kryetarit të komunës, gjë që kjo ka mundur të jetë një nga faktorët për mosndërmarrjen e një iniciative për largim”, thuhet në raport, ndërsa kujtohet se deri në vitin 2023 nuk ka ekzistuar bazë e mjaftueshme ligjore për funksionalizimin e mekanizmit për largimin e kryetarëve.

Aty ndër të tjera është evidentuar se deri në publikimin e raportit nuk ka pasur të dhëna në lidhje me fillimin e ndonjë iniciative për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe për më tepër, vlerësohet e paqartë nëse baza ligjore është e mjaftueshme për të vënë në funksion këtë mekanizëm të rëndësishëm.

“Mbetet për t’u shqyrtuar nëse një iniciativë e tillë për largimin e kryetarit, një funksion që zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë, të mund të rregullohet tutje me një akt nënligjor, apo përmes një ligji të veçantë”, thuhet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës lidhur me peticionin e qytarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në bazë të përllogaritjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Mitrovicës së Veriut është 18 mijë e 199. Nga ky numër, rreth 3 mijë e 640 votues përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral, kurse në komunën e Leposaviqit, numri i votuesve është 13 mijë e 441. Rreth 2 mijë e 689 përbëjnë 20 për qind.

Kjo masë vlen njëjtë edhe për komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në komunën e Zveçanit janë të regjistruar 9 mijë e 229 votues, ndërsa rreth 1 mijë e 846 qytetarë përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 6 mijë e 732. Rreth 1 mijë e 347 përmbushin kriterin prej 20 për qind të elektoratit.

Pas pranimit të nënshkrimeve, kryesuesit e kuvendeve komunale në veri duhet që brenda tri ditëve t’i dërgojnë në KQZ për verifikim. Nga konstatimi që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse apo jo.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore