Lajme

Pushtimi rus i Ukrainës do ta ndryshojë përgjithmonë Evropën


Pse përsërisim të njëjtin gabim?

Kjo është vetëm një problem në Ballkan, themi ne – dhe më pas një atentat në Sarajevë ndez Luftën e Parë Botërore.

Oh, kërcënimi i Adolf Hitlerit për Çekosllovakinë është “një grindje në një vend të largët, mes njerëzve për të cilët nuk dimë asgjë” – dhe më pas e gjejmë veten në Luftën e Dytë Botërore.

Oh, pushtimi i Polonisë nga Joseph Stalin pas vitit 1945 nuk është puna jonë – dhe së shpejti do të kemi Luftën e Ftohtë.

Tani ne e kemi bërë përsëri, duke mos ndërmarrë asgjë, derisa të jetë tepër vonë për implikimet e plota të pushtimit të Vladimir Putinit në 2014.

Dhe kështu, të enjten më 24 shkurt 2022, ne qëndrojmë këtu përsëri, të veshur me asgjë, përveç iluzioneve të humbura.

Në momente të tilla na duhet guxim dhe vendosmëri, por edhe mençuri. Kjo përfshin kujdesin në përdorimin e fjalëve. Kjo nuk është Lufta e Tretë Botërore.

Megjithatë, është tashmë diçka shumë më serioze se pushtimet sovjetike të Hungarisë në 1956 dhe Çekosllovakisë në 1968.

Pesë luftërat në ish-Jugosllavi në vitet 1990 ishin të tmerrshme, por rreziqet më të mëdha ndërkombëtare që rrodhën prej tyre nuk ishin në këtë shkallë.

Në Budapest kishte luftëtarë të guximshëm në vitin 1956, por në Ukrainë sot kemi një shtet të tërë të pavarur, sovran, me një ushtri të madhe dhe një popull që deklarohet i vendosur për të rezistuar.

Nëse ata nuk rezistojnë, në shkallë, ky do të jetë një okupim.

Nëse e bëjnë, kjo mund të jetë lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945!

Kundër tyre është vendosur një prej fuqive ushtarake më të forta në botë, me forca konvencionale të stërvitura dhe të pajisura mirë, me rreth 6 mijë armë bërthamore.

Rusia tani është shteti më i madh mashtrues në botë.

Ai komandohet nga një president, i cili, për të gjykuar nga përçarjet e tij histerike këtë javë, është larguar nga sfera e llogaritjes racionale – siç priren të bëjnë diktatorët e izoluar, herët a vonë.

Për të qenë e qartë: në deklaratën e tij të luftës të enjten në mëngjes, ai kërcënoi këdo “që përpiqet ta pengojë” me “pasoja që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”, ai na kërcënonte me luftë bërthamore.

Do të ketë një kohë për të reflektuar mbi të gjitha gabimet tona të së kaluarës.

Duke filluar nga viti 2014, do të kishim marrë seriozisht ndihmën për të ndërtuar kapacitetin e Ukrainës për t’u mbrojtur, do të kishim reduktuar varësinë energjitike evropiane nga Rusia, do të pastronim liqenet e ujërave të zeza nga paratë e pista ruse që vërshonin rreth Londrës dhe do të kishim vendosur më shumë sanksione ndaj regjimit të Putinit, ne do të  ishim në një vend më të mirë.

Por, ne duhet të fillojmë nga ku jemi!

Në mjegullën e hershme të një lufte që sapo ka filluar, katër gjëra duhet të bëjë Evropa dhe pjesa tjetër:

Së pari, ne duhet të sigurojmë mbrojtjen e çdo centimetër të territorit të NATO-s, veçanërisht në kufijtë e saj lindorë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, kundër të gjitha formave të mundshme të sulmit, duke përfshirë ato kibernetike dhe hibride.

Për 70 vjet, siguria e vendeve të Evropës Perëndimore, përfshirë Britaninë, në fund të fundit është varur nga besueshmëria e premtimit “një për të gjithë dhe të gjithë për një” të nenit 5 të traktatit të NATO-s.

Ju pëlqen apo jo, siguria e gjatë e Londrës tani është e ndërthurur pazgjidhshmërisht me atë të qytetit Narva të Estonisë; atë të Berlinit me Bialystok në Poloni; atë të Romës me atë të Kluzh-Napokës në Rumani.

Së dyti, ne duhet t’u ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për ukrainasit, pa kapërcyer pragun që do ta sillte Perëndimin në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Ata ukrainas, që zgjedhin të qëndrojnë dhe të rezistojnë, do të luftojnë me mjete ushtarake dhe civile për të mbrojtur lirinë e vendit të tyre, siç kanë çdo të drejtë të mundshme në ligj dhe ndërgjegje për të bërë, dhe siç do të bënim ne për vendet tona.

Në mënyrë të pashmangshme, shtrirja e kufizuar e përgjigjes sonë do të çojë në zhgënjim të hidhur mes tyre.

Ka ende gjëra që mund të bëjmë.

Si për shembull: mund të vazhdojmë t’i furnizojmë me armë dhe pajisje të tjera ata që po i rezistojnë plotësisht forcës së armatosur.

Po aq e rëndësishme në periudhën afatmesme, ne mund të ndihmojmë ata që do të përdorin teknikat e provuara mirë të rezistencës civile kundër një pushtimi rus dhe çdo përpjekjeje për të imponuar një qeveri.

Ne, gjithashtu, duhet të jemi gati për të ndihmuar ukrainasit e shumë që do të ikin drejt Perëndimit.

Së treti, sanksionet që vendosim ndaj Rusisë duhet të shkojnë përtej asaj që është përgatitur tashmë.

Përveç masave gjithëpërfshirëse ekonomike, duhet të ketë dëbime të rusëve në çfarëdo mënyre të lidhura me regjimin e Putinit.

Putini, me më shumë se 600 miliardë dollarësh dhe dorën e tij në rubinetin e gazit për në Evropë, është përgatitur për këtë, kështu që sanksionet do të kërkojnë kohë që të kenë efektin e tyre të plotë.

Në fund, do të duhet të jenë vetë rusët, ata që kthehen dhe thonë: “Mjaft. Jo në emrin tonë”.

Shumë prej tyre, duke përfshirë edhe nobelistin Dmitry Muratov, tashmë shprehin tmerrin e tyre për këtë luftë. Po kështu, gazetarja ukrainase Nataliya Gumanyuk ka shkruar në mënyrë prekëse për një gazetare ruse që qante në telefon me të teksa tanket ruse hynin brenda.

Rusët do të jenë viktimat e para dhe të fundit të Vladimir Putin.

Kjo më çon në një pikë të fundit, jetike: ne duhet të jemi të përgatitur për një luftë të gjatë.

Do të duhen vite, për t’i parë të gjitha pasojat e 24 shkurtit.

Në afat të shkurtër, perspektivat për Ukrainën janë dëshpërimisht të zymta. Por, në këtë moment, mendoj për titullin e mrekullueshëm të një libri për revolucionin hungarez të vitit 1956: “Fitorja e një humbjeje”.

Pothuajse të gjithë në Perëndim tani janë zgjuar me faktin se Ukraina është një vend evropian që sulmohet dhe copëtohet nga një diktator.

Kjo përvojë do të formësojë pikëpamjet e tyre për Ukrainën përgjithmonë.

Ne kishim harruar, në vitet e iluzioneve tona të pasluftës së ftohtë, se kështu e shkruajnë veten kombet në hartën mendore të Evropës: me gjak, djersë dhe lot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore