Shqipëria

“Punë, pagë dhe perspektivë” është motoja e protestës së 1 majit në Shqipëri


Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve (1 maj) në Shqipëri po protestohet nën moton “Punë, pagë dhe perspektivë”.

Nuk kuptohet nëse kjo përzgjedhje është një triptik që ironizon me “Partneritetin Publik-Privat” apo kujton tre tetat themeltare të protestës “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Protestuesit e shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë kanë nisur marshimin me dhjetëra nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku edhe janë stacionuar.

Një nga organizatorët e njohur të këtij marshimi “popullor” me pjesëmarrje të ulët, është Organizata Politike.

Ndërkaq, vetë protesta ka hasur në një “kontestim” tjetër të lidhur me votën e emigrantëve.

Disa qytetarë të pranishëm para Kryeministrisë gjithashtu kërkojnë të drejtën e votës së emigrantëve. Pra, paralelisht po mbahen dy protesta.

Organizata Politike shkruante në median sociale “Facebook” se Shqipëria po kalon një prej krizave më të rënda ekonomike të 30 viteve të fundit.

Sipas saj, janë rritur në mënyrë marramendëse të gjitha çmimet, sidomos të ushqimeve dhe karburantit.

Sa i takon papunësisë, ata shkruajnë se është 11.4 për qind ndërkohë që papunësia reale prek pothuajse çerekun e popullsisë.

Në përmbyllje, ata sjellin në vëmendje problematikën e vdekjeve dhe aksidenteve në punë – në ndërtim, miniera dhe sektorin energjetik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore