Kosova

Protestë e pazakontë pro-pushtetit në Prishtinë, kërkohet “konstruktivitet” nga opozita e “paanshmëri” nga mediet


13 gusht 2023/Prishtinë

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar të dielën në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë kundër opozitës kosovare, medieve dhe analistëve të studiove televizive, në shenjë mbështetje për kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Kjo protestë është organizuar nga Albert Shabani, qytetar nga Komuna e Skenderajt. Protesta ka filluar nga ora 14:00 në qendër të Prishtinës me thirrjet që opozita të jetë më konstruktive, ndërse kanë kërkuar “paanshmëri” nga mediet e analistët.

“Ftojmë opozitën që të jetë konstruktive në parlament në mbështetje të shtetit dhe sovranitetit, pushteti merret me vota, jo me grushta”, ishte njëra nga thirrjet e protestuesve të pranishëm në këtë protestë jo fort të zakonshme.

“Të sillen para gjyqit të gjithë analistët që janë kundër shtetit të Kosovës”, ishte kjo një thirrje tjetër e protestuesve, ndërsa të njëtit kanë shprehur indinjatën e tyre edhe me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare për presionin që, sipas tyre, po i bëhet vetëm Kosovës.

Një protestë me karakter të ngjashëm ishte mbajtur edhe në muajin shkurt të këtij viti. Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, i cili udhëhiqet nga Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” dhe organizata “Reforma”, patën protestuar kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, një protestë tjetër në mbështetje të Qeverisë së Kosovës ishte organizuar në muajin janar nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Protesta ishte thirrur në kohën kur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po diskutohej për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore