Kosova

Propozimi i Albin Kurtit për ta pagëzuar ndryshe “Ballkanin Perëndimor”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që Ballkani Perëndimor të pagëzohet si “Ballkani Perëndimor Gjashtë”. Kjo, për arsye se Ballkani Perëndimor përbëhet prej gjashtë shteteve.

Kështu shkruan Kurti në një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, duke i cilësuar si vërejte të bëra pas Samitit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ideja e kryeministrit është që të ngurtësojë faktin se në Ballkanin Perëndimor janë gjashtë shtete, gjë që Serbia nuk e pranon, por as Bashkimi Evropian si union.

“Mirëpresim deklaratën e përbashkët me disa rezerva: Kur i referohemi Ballkanit Perëndimor duhet të themi Ballkani Perëndimor Gjashtë, pasi ka gjashtë vende”, ka shkruar Kurti.

Si pikë të dytë, Kurti e ka ngritur ballafaqimin me të kaluarën, për të cilën thotë se “duhet të përmendet pasi është pjesë e domosdoshme e çdo përpjekjeje pajtimi”.

Kurse në rend të tretë, e ka vendosur pikën ku thuhet se “ky Samit duhet të dënojë angazhimin e ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës”.

Kjo pasi siç thotë Kurti, pas vendosjes së reciprocitetit të targave me Serbinë, në pika kufitare Jarinjë e Bërnjak, “avionët luftarakë MiG-29 fluturuan përgjatë kufirit dhe ambasadori rus në Beograd erdhi në pikën kufitare për të inspektuar grumbullimin e trupave serbe atje”.

Në anën tjetër, përmes këtij shkrimi Kurti ka theksuar se gjatë takimi të tij në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 15 qershor, Kurti ka thënë se i ka propozuar këtij të fundit që të nënshkruajnë “Deklaratën e Paqes për mos-agresion”.

Por, që i njëjti “ka refuzuar ta bëjë”.

Ndërkohë, kryeministri Kurti ka shtuar se në “Ballkanin Perëndimor gjashtë, nuk duhet të ketë fonde të Bashkimit Evropian, pa vlera të saj”.

“BE-ja në BP6 duhet të jetë e rritur në shtëpi, por jo e bërë vetë. Ne duhet të integrojmë BE-në në vendet tona, por, për këtë qëllim, ne kemi nevojë për ndihmë nga jashtë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore