Lajme

Prokuroria e Palermos kërkon 6 vite burg për Salvinin: “Bllokada e emigrantëve në det ishte rrëmbim”


Një prokuror italian të shtunën i kërkoi gjyqtarit të dënojë me gjashtë vjet burg liderin e krahut të djathtë Matteo Salvini për vendimin e tij të vitit 2019 për të parandaluar zbarkimin e më shumë se 100 emigrantëve në vend.

Ministri i atëhershëm i Brendshëm, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryeministër dhe ministër i transportit në qeverinë e Giorgia Melonit, është akuzuar për rrëmbim dhe është në pritje të dënimit pas vendimit të tij që la të bllokuar emigrantët në det.

“Salvini ishte i vetëdijshëm për paligjshmërinë e veprimeve të tij”. Dhe më tej: “Ato pozicione të tij shkaktuan një kaos të vërtetë institucional: strategjia e ndjekur ishte të përkulen rregullat sipas politikës së porteve të mbyllura”.

Sipas prokurorisë së Palermos, Matteo Salvini është plotësisht përgjegjës për krimet e rrëmbimit të personit dhe refuzimin e akteve zyrtare. Kërkohet dënimi me 6 vjet burg.

“Ai kishte detyrimin të jepte një port të sigurt dhe nuk e bëri këtë”, thonë prokurorët.

Dhe më tej: “Kjo situatë detyroi institucionet e tjera të përfshira të përgatisin zgjidhje të improvizuara, pasi nuk mund të lejonin që ato të mbeteshin pa tokë”.

Këto ishin fjalët e prokurores së përgjithshme Marza Sabella, e cila ka drejtuar akuzën së bashku me kolegët zëvendës Geri Ferrara dhe Giorgia Righi.

“Do t’i lexonim një nga një emrat e këtyre personave për t’i kujtuar në individualitetin e tyre, sepse për secilin prej këtyre personave kërkojmë dënimin e të pandehurit, përveçse për të mbrojtur kufijtë e së drejtës”.

Salvini menjëherë merr mbështetjen e kryeministres Giorgia Meloni.

“Të shndërrosh në krim detyrën për të mbrojtur kufijtë italianë nga imigracioni i paligjshëm është një precedent shumë i rrezikshëm. Solidariteti im i plotë për ministrin Salvini”. Dhe ai përgjigjet: “Gjashtë vjet burg për bllokimin e zbarkimeve dhe mbrojtjen e Italisë dhe italianëve? Çmenduri. Mbrojtja e Italisë nuk është krim dhe unë nuk dorëzohem, as tani, as kurrë”.

Akti i akuzës

“Nuk mund të thirret mbrojtja e kufijve pa marrë parasysh mbrojtjen e jetës njerëzore në det”, thotë Sabella. “Ngritja e kufijve shërben vetëm për të mos parë”. Akuzat e prokurorisë së Palermos kundër ish-ministrit të Brendshëm Matteo Salvini kanë tone shumë të qarta, duke vazhduar nga ora dhjetë e mëngjesit deri në 17:30: rregullat e vendosura gjatë periudhës dramatike të vitit 2019, kur u bllokuan 147 migrantë në bordin e anijes Open Arms, “ishin të paafta për të mbrojtur të drejtat”.

Prokurori Geri Ferrara flet për “veprime kriminale në mosdhënien e PoS, vendit të sigurt”. Sepse migranti “ka të drejtë të arrijë në një port të sigurt. Të drejtat e njeriut vijnë përpara mbrojtjes së kufijve”. Prokurori kujton konventat ndërkombëtare që “u imponojnë përgjegjësi shteteve”, sidomos kur bëhet fjalë për shpëtimin e të miturve: “Ekziston detyrimi për shpëtim në det”.

Salvini zgjodhi të mos ishte i pranishëm në sallë, por nuk heq dorë nga përhapja e versionit të tij me një postim në rrjetet sociale: “Sot në Palermo prokuroria do të bëjë kërkesat e saj në gjyqin ku jam i pandehur për rrëmbim personi. Rrezikoj deri në pesëmbëdhjetë vjet burg për mbajtjen e fjalës së dhënë ndaj votuesve. Do ta bëja përsëri: mbrojtja e kufijve nga klandestinët nuk është krim. Përpara pa frikë”.

“Muri” i Salvinit

Në verën e vitit 2019, ish-ministri i Brendshëm ngriti një mur në Kanalin e Sicilisë. Duke mos dhënë “port të sigurt” për një anije të një OJQ-je spanjolle, e cila në fillim të gushtit kishte shpëtuar, në tre operacione në Kanalin e Sicilisë, 147 migrantë.

Kështu, filloi hetimi për rrëmbim personi, sepse – shkruante prokuroria e Palermos – Salvini shkaktoi privimin e paligjshëm të lirisë personale të atyre migrantëve, duke i detyruar të qëndronin në bordin e anijes për një kohë të gjatë, saktësisht, nga nata mes 14 dhe 15 gusht 2019 deri më 18 gusht 2019 për të miturit, dhe për të gjithë të tjerët deri më 20 gusht 2019, data kur, si pasojë e sekuestrimit të parashikuar të anijes, i urdhëruar nga prokuroria e Agrigentos, u evakuuan të gjithë personat në bord.

“Mbrojtja e të drejtave”

“Parimi kryesor është ai i shpëtimit në det, që vjen nga Odisseja, nga kohët e lashta – thotë prokurori Geri Ferrara – Madje edhe në luftë ka detyrim për shpëtim në det, si një konfirmim i universalitetit të përfituesve. Në këtë proces po trajtojmë çështjen e të drejtave të njeriut, jetës, shëndetit dhe lirisë personale që prevalojnë mbi të drejtën për të mbrojtur kufijtë”.

Marrë nga La Repubblica, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore