Shqipëria

Projektligji për studentët e Mjekësisë/ Rakacolli: Po u sigurojmë të ardhmen qytetarëve


Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë po diskuton në parim projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të dytë Mjekësi e Përgjithshme në IAL publike”.

Projektligji në fjalë detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë për 5 vite në vend.

Vetëm pas kësaj, ata do të kenë të drejtë që të largohen nga Shqipëria, nëse do të kenë interes.

Sipas zëvendësministres Mira Rakacolli, arsyeja se pse kërkohet të bëhet ky ligj, është sigurimi shëndetësor i aksesueshëm.

“Në çdo pikë të vendit ka qendra shëndetësore, nga jugu në veri. Janë vënë politika meritokracie në punësim. Në vitet e fundit janë punësuar 1 mijë e 200 mjekë, janë rritur pagat.Nuk jemi te ato shifrat e frikshme, pasi shifrat e mjekëve për banorë, kanë ardhur në rritje”, ka thënë ajo.

Rakacolli ka vijuar duke thënë se aspirohet drejt shifrave të BE-së.

“Nuk është vetëm kjo politike që do të sigurojë ardhjen e mjekëve, por që nga shtimi i kuotave, në përmirësimin e kushteve dhe pagave. Ajo që po bëjmë ne sot është që t’i sigurojmë të ardhmen përmes sistemit shëndetësor qytetarëve”, ka thënë ajo.

Kurse deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori, ka mbështetur protestat e studentëve.

Sipas saj, qeveria duhet të marrë masa të tjera për të kuptuar se ku e ka zanafillën fenomeni i eksodit të mjekëve.

“Mendoj që për të korrigjuar këtë largim masiv, për të marrë masa konkrete, që do të kenë efekte motivuese, duhet të shohim në thelb problemin. Se pse largohen këta mjekë”, ka thënë ajo.

Për deputeten, ata largohen se çedon sistemi. “Në 8 vitet e fundit gjysma e këtyre mjekëve janë larguar, ata ofrojmë kapacitetet e tyre profesionale jashtë vendit. Ne kemi investuar për këta mjekë dhe ata kanë ikur”.

Sipas saj, protestat e studentëve janë të drejta, pasi ata mbrojnë të drejtën e tyre për t’u arsimuar në publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore