Kosova

Prioriteti i Kurtit – para çdo gjëje tjetër – duhet të jetë aleanca me SHBA-të


Ilustrim

Ruajtja e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet të jetë prioriteti më i lartë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht kritikave të administratës amerikane dhe mospajtimeve reciproke, gjithmonë duke u nisur nga fakti se Perëndimi ka pritje të ndryshme për Kosovën dhe Serbinë, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike, Toby Vogel dhe Abit Hoxha, të pyetur nga Albanian Post se si i shohin ata deklaratat e Emisarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili e gjeti vetën para një konfuzioni të madh nga kursi të cilin ka vendosur ta ndjekë kryeministri Kurti në raport me Perëndimin.

Eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) dhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, Toby Vogel, deklaroi që pa marrë parasysh se sa i padrejtë mund të jetë qëndrimi i SHBA-ve për gjendjen në veri të vendit, ruajtja e marrëdhënive të mira me Uashingtonin duhet të jetë prioriteti më i lartë aktualisht për kryeministrin.

Megjithatë, fajtor për çarjen në raportet Kosovë-SHBA/BE nuk është kryeministri Kurti, por vetë Uashingtoni dhe Brukseli, thotë Vogel, të cilët, sipas tij, kanë vendosur që aleati i tyre kryesor në Ballkanin Perëndimor të jetë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe në këtë drejtim, po bëjnë gjithçka që munden për ta mbështetur atë.

“Ata me sa duket menduan se fleksibiliteti i tyre në negocimin e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit do t’ua blinte mirëbesimin; por për momentin duket se në Prishtinë po zbatohet një standard shumë më i lartë se sa për Beogradin. Kurti nuk u zgjodh nga votuesit kosovarë sepse do zbatonte verbërisht çdo gjë që kërkon Uashingtoni”, potencoi Vogel.

Një lexim krejt ndryshe të gjendjes aktuale në terren e jep ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Agder të Norvegjisë, Abit Hoxha, i cili thotë se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndryshme dhe rrjedhimisht, duke u nisur edhe nga aspekti historik, aspiratat e tyre euro-atlantike trajtohen ndryshe nga SHBA-të dhe BE-ja, vecanërisht pas ngjyrimeve të reja gjeopolitike.

“Natyrisht, standardi më i lartë mbahet për Kosovën, sepse nga Kosova ka pritje tjera prej Serbisë. Kosova është ndarë nga Serbia nën argumentin se sovraniteti nuk mund të jetë argument për keqbërje ndaj popullatës, kurse Serbia është bombarduar nën këtë argument”, theksoi ai.

“Pritja për Kosovën është shumë më e lartë se sa për Serbinë. Gjithashtu, pozicioni i Serbisë tani është në avantazh ngase presidenti Vuçiç e zuri në kurth kryeministrin Kurti me tema të parëndësishme sikurse targat e veturave”, shtoi ndër të tjera Hoxha.

Kosova është rënditur në mesin e atyre pak shteteve që janë nën sanksionet amerikane dhe ende po mbrohet nga zyrtarët amerikanë, sëpaku nga terminologjia e përdorur, ndërsa kryeministri Kurti është i pari lider që merr një ultimatum nga administrata amerikane.

Vogel, megjithëse vlerësoi që instalimi i kryetarëve në komunat veriore të Kosovës nuk ishte një veprim i zgjuar i kreut të ekzekutivit, të paktën në aspektin taktik, konsideroi se diplomatët evropiano-amerikanë gjetën shkas për fajësimin e kryeministrit Kurti për përshkallëzimin e fundit në pjesën veriore dhe për problemet që ka hasur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë ende mendoj se ndoshta mund të ishte gjetur një rrugë e mesme, por konsideroj se është gabim të fajësohet kryeministri Kurti për faktin se Prishtina dhe Uashingtoni nuk mundën ta gjenin rrugën e mesme. Faji është po aq i Uashingtonit sa i Prishtinës”, nënvizoi Vogel.

Zgjedhjet në veri janë mbajtur pa asnjë incident, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote atje, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë. Ato, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara me shumicë serbe votuan veç 13 serbë. Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – nuk mori pjesë në to.

“Mendoj se kryeministri Kurti mund të ishte më i gjindshëm dhe të koordinohej më shumë me amerikanët. Por në fund të ditës, ata i miratuan zgjedhjet në veri edhe kur ishte e qartë se Lista Serbe do t’i bojkotonte, kështu që çfarë prisnin ata të bënte ai? Shumë përpjekje tani duhet të bëhen thjesht për të rivendosur status quo ante (gjendjen e mëparshme)”, paralajmëroi Vogel.

Hoxha nga ana tjetër, kujton se përkeqësimi i situatës në veri të Kosovës filloi shumë më herët, kurse krejt kjo situatë lidhet edhe me “nervozën” që akterët ndërkombëtarë e patën me Kosovën përgjatë vitit të fundit duke filluar me përshkallëzimin që ndodhi për targat e veturave në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, që u pasua me largimin e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Pra, Kosova karshi partnerëve ndërkombëtar, nuk ka marrë përgjegjësitë të cilat i kanë takuar për të bashkërenduar veprimet karshi ngjarjeve që janë më të rëndësishme sikurse lufta në Ukrainë. Kjo i ka shkuar përshtati edhe agjendës serbe që ka për qëllim shtyerjen e procesit të dialogut sa më gjatë”, nënvizoi Hoxha.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që SHBA-të dhe BE-ja ia kanë paraqitur kryeministrit Kurti, ndërsa përgjigjen e presin të premten. Përndryshe, pason ndëshkimi.

Kjo në sytë e Vogel nuk është asgjë tjetër veç një manovrim i amerikanëve dhe evropianëve, të cilët, sipas tij, vendosën që për ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi ta fajësonin kryeministrin Kurti, ngase nuk është më thjesht një çështje se sa konstruktivë janë të dy liderët.

Ndërkaq, sipas Hoxhës, kushtet dhe pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare mund të interpretohen vetëm si udhërrëfyes për Kosovën, ngase edhe SHBA-të, por edhe BE-ja, janë në dijeni për politikat destruktive të Listës Serbe – parti politike që dirigjohet nga Beogradi.

“Është e vërtetë që kryeministri Kurti nuk mund të fajësohet kryekëput për veprimet e Listës Serbe, por ai e ka keqlexuar situatën ndërkombëtare dhe nuk ka marrë përgjegjësitë që i takojnë Kosovës në agjendën ndërkombëtare”, shprehet Hoxha.

Në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, po përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Beogradi, ndërsa perspektiva e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve po ngrihet herë pas here.

Energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në castin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga ky episod i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Deri tani, bashkësia e organizuar ndërkombëtare e ka parë të vështirë angazhimin e hershëm me pjesën veriore të Kosovës – një çështje që, e do rasti, kishte mbetur e papërfshirë edhe në propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit, me të cilin erdhi pavarësia.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore