Lajme

Pretendimet e platformës “Deep Capture” në SHBA: Smith kërkoi ryshfet prej 100 milionë dollarësh


Jack Smith

Patrick Byrne, biznesmen dhe pronar i disa kompanive amerikane, në një artikull të publikuar në platformën e internetit “Deep Capture” të premten, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) për udhëheqjen e një “skeme korruptive” brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Byrne ka publikuar një dokument prej 151 faqesh në të cilin pretendohet se janë zbuluar “detaje të hollësishme” të një skeme korruptive nën udhëheqjen e ish-kryeprokurorit të specializuar në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili tani drejton hetimet kundër Donald Trump, presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Jack ka dërguar njerëz në Evropën Lindore për t’ua përcjellur mesazhin e mëposhtëm palëve të ndryshme: Ne e dimë se gjatë luftës civile në Jugosllavi ju keni vrarë disa njerëz. Jack do t’ju padisë, por nëse do vendosësh X shumën në një valixhe që unë do t’ia dërgojë atij, problemet e tua largohen”, ka shkruar ai, duke e cilësuar “shantazhues” Smithin.

Në tekst është aluduar se ish-kryeprokurori i specializuar ka kërkuar ryshfet prej 100 milionë dollarësh nga “një kryetar shteti” në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte, por i njëjti kishte refuzuar, duke mos përmendur në mënyrë specifike se për cilin person bëhet fjalë.

“Ne kemi mësuar për këto akuza për shkak të sinjalizuesve evropianë, të cilët jo vetëm që kanë ndarë historitë, por ata kanë shkruar deklarata të detajuara dhe të shkëlqyera, kanë siguruar tekste dhe të dhëna financiare. Lexoni vetë 151 faqet e dokumentit. Jack, nga vendi ku jam ulur, duket i lajthitur”, ka shkruar Byrne, i cili njihet për teoritë konspirative.

Byrne e ka projektuar veten si sinjalizues të shkeljeve të pretenduara financiare duke përdorur platformën e internetit “Deep Capture” në SHBA, ku shpesh ka akuzuar njerëz për marrje apo dhënie të ryshfetit. Hunter Biden, djali i presidentit amerikan, Joe Biden, ka paditur personin në fjalë për shpifje rreth pretendimeve për marrje të ryshefetit nga Irani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore