Lajme

Ponos për dërgimin e armatimit në Ukrainë: NATO blen nga Serbia armë që nuk i duhen – ku do të përfundojnë?


Zdravko Ponos

Ish-diplomati dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Zdravko Ponos, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve N1 ka komentuar dokumentin konfidencial të Pentagonit në të cilin thuhej se Serbia ka rënë dakord të furnizojë Ukrainën me armë ose ka dërguar tashmë armë, duke thënë se nuk duhet të jesh ndonjë gjeni për ta kuptuar se ku po shkojnë armët që blihen nga NATO, të cilat prodhohen në Serbi.

“Unë e pyes se çfarë shkruhet në dokument, nuk duhet të jetë dikush si Max Weber (teoricien gjerman) të deklarojë se nëse vendet e NATO-s e blejnë atë kalibër dhe atë në sasi të mëdha, duhet bërë pyetja se ku shkon”, shpjegoi Ponos.

Ndërsa, nga Serbia këto janë mohuar, por Ponos thotë se “një pyetje është nëse Serbia ka eksportuar në Ukrainë, apo ka eksportuar armë që kanë përfunduar në Ukrainë”.

“Kjo e fundit është e vërtetë. Fakti është se sasi të mëdha artilerie dhe municionesh mortajash janë konsumuar në atë luftë, se magazinat ukrainase janë mjaft bosh dhe përdorin teknologjinë sovjetike. Vendet e NATO-s nuk kanë më municion të tillë dhe nuk përdorin më armë të tilla, prandaj ushtria amerikane i besoi dy kompanive një punë prej 522 milionë dollarësh, njëra prej tyre është Northrop Grumman, tjetra është Global Military Products. Ai vendim është marrë më 15 shkurt dhe përfaqësuesit e njërës prej atyre dy kompanive kanë qenë në Beograd”.

Për dokumentin konfidencial të publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters, Ponos thekson se ai dokument e mban datën 2 mars, pra i referohet datës së kur është arritur dakordimi për këtë çështje.

“Ka një klasifikim të bukur, amerikanët e bëjnë gjithmonë, klasifikimi është bërë dhe shihet se kush ka dërguar ndihma deri më tani, kush ka potencial dhe vullnet politik për ta bërë. Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, sepse është e pafavorshme për mbështetjen politike të atyre që votojnë për SNS dhe Vuçiç”, tha ai.

Për ta argumentuar më tej këtë, ai thotë se pushteti në Serbi nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç-it “refuzoi të kryente trajnime për forcat ukrainase sepse nuk është gjithashtu e pëlqyer, por Vuçiç me sa duket ra dakord për këtë të tretën, duke llogaritur që ajo të mbetet prapa syrit të publikut”.

Sipas tij, është në interes të publikut serb të dihet kush i ka nënshkruar ato kontrata dhe të shihet nëse ka pasur rritje të prodhimit në fabrikat e municioneve në Serbi, e që do të ishte e lehtë për t’i verifikuar ato që i publikoi Reuters.

“Mendoj se edhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka tentuar të shpallë diçka, por është gjethe fiku, një gjë është nëse keni kontratë me të cilën e eksportoni direkt, dhe tjetër gjë është nëse keni një dokument me të cilin ju eksportoni atë municion në vendet e NATO-s ose kompanitë që operojnë në vendet e NATO-s, dhe a keni vendosur një klauzolë që nuk mund të rieksportohet në Ukrainë”, theksoi Ponos.

Ndërkaq, ai shtroi edhe një pyetje se ku shkojnë paratë nga shitja e këtyre armëve dhe çfarë përfitimesh marrin qytetarët prej tyre.

“Pas shpinës së qytetarëve të tyre, ata furnizojnë me armë një nga palët ndërluftuese. Shtrohet pyetja se çfarë përfiton Vuçiç prej saj? Serbia nuk ka asgjë për të fituar nga kjo, përveçse të fitojë favore për mbijetesën e Vuçiç-it në pushtet edhe për disa vite të tjera”, tha ai.

Këtë politikë të Vuçiç-it nuk do ta shihte si problem Ponos, por vetëm atëherë, siç thotë ai kur kjo do të ishte pjesë e “një orientimi të qartë të politikës së jashtme”.

“Nëse ky regjim do të kishte thënë – ne do të shkojmë në BE, ne do ta dënojmë qartë atë agresion, ne e kemi konsoliduar politikën tonë të jashtme me BE-në. Nuk është një kthesë drejt Uashingtonit, sepse po të ishte, do të përfitonin qytetarët. Nga kjo përfiton vetëm Vuçiç-it. Kjo është një marrëveshje e fshehtë e pushtetit të uzurpuar, nga kjo nuk do të përfitojë shteti, do të përfitojë Vuçiç-i”, tha Ponos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore