Policia në Banjë të Zveçanit sekuestron një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja dhe 689 fishekë

Ilustrim

Dreni Himbeqa
05.01.2024 9:29
Loading Icons...

Policia e Kosovës, të enjten e 4 janarit, ka sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Rasti i sekuestrimit, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ka ndodhur në fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit në afërsi të një kodre.

Policia e Kosovës nuk ka raportuar për të arrestuar ndërsa rasti është nën hetime.

“Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”.

Çfarë ndodhi?

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.

Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në Veri të Kosovës.

Autoritetet serbe bënë të ditur Radojiçiç është marrë në pyetje nga Prokuroria në Beograd për sulmin në Banjë dhe se është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi dhe ia konfiskoi dokumentet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte Veriun e Kosovës.

Të fundit

Aktuale