Kosova

Policia me operacion në Veri, bastisje në tri lokacione


Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për Albanian Post se janë kryer tri bastisje në Veri që kanë të bëjnë me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë.

“Janë kryer tri bastisje në territorin e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit lidhur me ngjarjet në Banjë. Asnjë arrestim nuk është bërë”, tha ai.

Elshani ka theksuar se bastisjet kanë përfunduar pa asnjë incident, derisa nuk ka treguar se çfarë kanë arritur të konfiskojnë nga vendi i ngjarjes.

Por, sipas medium serb Kossev, organet e rendit kanë bastisur një banesë të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb.

Ndryshe, një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore