Lajme

Policia italiane sekuestron gati 50 milionë euro videolojëra retro


Një rrjet trafiku videolojërash retro është shkatërruar nga policia italiane.

Autoritetet sekuestruan kompjutera dhe lojëra të vjetra false me vlerë gati 50 milionë euro.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Ndër lojërat e falsifikuara ishin tituj të njohur nga vitet ’80 dhe ’90, duke përfshirë Mario Bros., Street Fighter dhe Star Wars.

Kompjuterat ishin imitime të pajisjeve ikonike të prodhuara nga Nintendo, Sega dhe Atari dhe nuk plotësonin standardet strikte të sigurisë.

Rreth 12 mijë kompjutera që përmbanin mbi 47 milionë video lojëra pirate u sekuestruan nga policia, tha për agjencinë e lajmeve AFP Alessandro Langella, kreu i njësisë së krimit ekonomik për policinë financiare të Torino-s.

Transporti kishte një vlerë të përafruar prej 47.5 milionë euro (52.5 milionë dollarë), shtoi Langella, një shifër që përfshin vlerën e kompjuterave dhe qindra licenca për programet pirate.

Zyrtari italian sqaroi se ato ishin “të gjitha nga Kina” dhe u importuan për t’u shitur në dyqane të specializuara ose në internet.

Të gjitha pajisjet kishin bateri dhe qarqe elektrike të pacertifikuara dhe nuk plotësonin standardet teknike ose të sigurisë të BE-së.

Nëntë shtetas italianë janë arrestuar dhe akuzuar për tregti të mallrave të falsifikuara.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me një dënim deri në tetë vjet burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore