Kosova

Policët u liruan, por Gjykata Serbe ua ka konfirmuar aktakuzën për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve”


Fatmir Haxholli, sekretar i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, ashkë me tre policët - Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi

Tre policët kufitarë të Kosovës – Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi – të rrëmbyer nga strukturat e sigurisë së Serbisë më 14 qershor thellë brenda territorit të Kosovës në pjesën veriore, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, njoftoi të hënën Gjykata e Lartë në Kralevë – qytet në qendër të Serbisë.

Ndonëse aktakuza kundër tre policëve kosovarë është konfirmuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – ata ngarkohen me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse – të njëjtit do të mbrohen në liri, pra është marrë vendimi t’u ndërpritet paraburgimi.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga autoritetet serbe të sigurisë, kishte shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Autoritetet e Kosovës e konsideruan fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe agresion ndaj sovranitetit të shtetit, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendonin se nuk bëhej fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë brenda territorit serb.

Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia) kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Edhe Bashkimi Evropian po ashtu vazhdimisht kishte kërkuar që të tre policët kosovarë të lirohen.

Kidnapimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore