Po shkoj te “Dumdumani”, thotë Meta para hyrjes në SPAK

Rajmonda Basha
13.06.2024 10:23
Loading Icons...

“Unë po shkoj te Dum Dumani”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta para hyrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

“Dumdumani është ai që s’guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, as për çështjen e Sali Berishës…Për çfarë jeni thirrur? Unë po shkoj te Dumdumani, kur të dal do ju tregoj”, tha Meta për gazetarët teksa futej në SPAK rreth orës 10:15.

Një ditë më parë ishte bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi.

“Iu përgjigja disa pyetjeve, ballafaquam të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me akuzat që kanë ngritur”.

Kështu deklaroi pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor në pyetje prej pesë orëve në lidhje me hetimin e ngritur për pasurinë e saj.

Kryemadhi tha se në SPAK ishte “për padinë e Veliajt dhe suflerëve të tij”.

Sipas saj, për këtë është paditur mamaja, vëllai dhe fëmijët.

Në fjalën e saj, deputetja theksoi se nuk e sfidon drejtësinë (ndryshe nga bashkëshorti i saj) dhe se prokurorët janë aty për të bërë punë e tyre.

“Vazhdoj t’i qëndroj çdo deklarate të lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku ne jetojmë dhe punojmë, pavarësisht problematikave që kem”.

Ajo theksoi se lufta e saj është betejë politike, jo me prokurorët.

“Ata do bëjnë punë e tyre, unë jam një e paditur nga Veliaj”.

Hetimi

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, përfunduan sërish në SPAK, pasi janë kallëzuar për fshehje të ardhurash, në një kohë kur kanë shpenzuar shumë të mëdha parash për (siç supozohet) operacione plastike jashtë vendit.

Padia, ndryshe ka e kaluara, e depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri, nuk ka ardhur nga radhët e politikës, por të jurisprudencës (shtator 2022)

Ka qenë avokati Idajet Beqiri, ai i cili e ka akuzuar çiftin mbi këto pretendime, duke shtuar se Meta dhe Kryemadhi kanë kryer trajtime mjekësore me vlera shumë të mëdha.

Një prej trajtimeve, sipas Beqirit, është kryer në San Marino dhe kap vlerën e 290 mijë eurove.

Meta nga ana tjetër, është trajtuar në Vjenë sipas tij, përgjatë viteve 2013-2014, kur ka qenë i sapo zgjedhur si kryetar i Parlamentit.

Padisë në këtë rast nuk i shpëtojnë as dy fëmijë të familjes Meta, djali Besar dhe vajza Bora, të cilët janë pjesë e padisë.

Një akuzë shumë e ngjashme me këtë të avokatit, i ka ardhur Metës në maj 2022, nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila pretendonte se ai është i përfshirë në një aferë korruptive prej 700 mijë dollarësh.

Të fundit

Aktuale