Pajisje

Plani i Google-it për t’i bërë aplikacionet Android më private


Plani i Google-it për të kufizuar gjurmimin e të dhënave te shfletuesi Chrome është zgjeruar.

Lëvizja është ndërmarrë për të mbuluar edhe aplikacionet në telefonat inteligjentë të bazuar në Android.

Nën emrin Privacy Sandbox, projekti i kompanisë synon të frenojë sasinë e të dhënave të përdoruesit që reklamuesit mund të mbledhin.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kjo do të jetë një goditje për firmat si Meta, të cilat mbështeten në vendosjen e kodit të tyre në aplikacione për të gjurmuar sjelljen e konsumatorëve.

Asnjë detaj

Mësohet se cookie-t e palëve të treta, të cilat përdorin historinë e shfletimit për të synuar reklamat, do të hiqen gradualisht te shfletuesi Chrome deri në vitin 2023.

Vetë Google-i ka bërë me dije se po punon për zgjidhje që do të kufizojnë ndarjen e të dhënave të përdoruesve dhe “të funksionojnë pa identifikues ndër-aplikacionesh”.

Këta identifikues janë të lidhur me telefonat inteligjentë dhe përdoren nga aplikacionet për të mbledhur informacion.

“Po eksplorojmë gjithashtu teknologji që zvogëlojnë potencialin për mbledhjen e fshehtë të të dhënave, duke përfshirë mënyra më të sigurta që aplikacionet të integrohen”, ka thënë kompania.

Por nuk ka dhënë detaje se si planifikon ta bëjë këtë.

“BBC” dallon se përpjekjet e Google-it për të krijuar alternativa ndaj cookie-ve të palëve të treta në shfletuesin Chrome nuk kanë ecur plotësisht pa probleme.

Propozimi i parë nuk u pëlqye nga aktivistët e privatësisë dhe reklamuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore