“Bllokimi i fondeve për bujqësinë është lajm i keq kombëtar”

Rajmonda Basha
20.07.2023 7:30
Loading Icons...

Ndërprerja e përkohshme e rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II” u bë shkak i hedhjes së deklaratave të njëpasnjëshme nga institucionet e zyrtarët e lartë.

Ishte Komisioni Evropian i cili bëri me dije fillimisht se “ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara”.

Më pas një reagim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaroi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, por puna dhe programi vazhdon.

Ky lajm bëri që dhe aktorë të ndryshëm të opozitës të reagojnë për situatën. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se fondet u pezulluan për shkak të vjedhjes ndërsa përfaqësuesja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi e quajti këtë vendim të përkohshëm të Komisionit Evropian si “një drejtësi të vonuar”.

Nga ana tjetër, ish-kryedemokrati Lulzim Basha theksoi se qeveria është abuzuese ndaj fondeve të BE-së, ndërsa sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi theksoi se ky vendim erdhi si shkak i “korrupsionit qeveritar”.

Sa i përket situatës së krijuar, Albanian Post ka komunikuar me njohësin e politikave dhe proceseve të fondeve evropiane për bujqësinë, profesor Ilir Pilku.

Fillimisht ai sqaron se “procesi i korrupsionit është në hetim e sipër dhe akoma nuk kemi një vendim përfundimtar”.

“Edhe nëse vjen një vendim final, qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese. Nëse pas diskutimeve të mbrojtjes dhe dakordësimit të shumës së faktuar, detyrimi për rikthim fondi i mbetet qeverisë shqiptare bazuar në një proces të veçantë. Subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor”, thotë ai për AP-në.

Pilku ravijëzon se zakonisht “nuk përbën asnjë problem apo kërcënim për ato projekte të kontraktuara, procesi i tyre do vazhdojë ashtu siç ka qenë. Në çdo rrethanë të kundërt, ato kanë të drejtën të padisin në Gjykatën Administrative autoritetet zbatuese. Nuk diskutohet rimbursimi i tyre, i jo-fajtorëve”.

Ndër të tjera, ai bën me dije se këto fonde janë përkohësisht të bllokuara për arsye të dyshimeve gjatë implementimin të IPARD-2 dhe si i tillë, për profesorin “masat e mbështetjes nuk janë ri-akredituar”.

“OLAF ka qenë dhe herë të tjera në Shqipëri për identifikimin e rasteve në sektorë të tjerë të ekonomisë, ka dhënë rekomandime apo masa penalizuese. Ky është proces pune i tyre, i njëjtë me rolin e KLSH-së. Bllokimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë është një lajm i keq kombëtar dhe kryesisht për fermerët dhe përpunuesi që kanë plane investimi”.

Çfarë është IPARD II?

IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit.

Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II.

IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

KE-ja konfirmon ndërprerjen “e përkohshme” të fondeve bujqësore për Shqipërinë

Të fundit

Aktuale