Shqipëria

Përvjetori i luftës në Ukrainë/ Rama: Është e qartë që Rusia nuk mund të fitojë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se është e qartë që Rusia nuk mund ta fitojë luftën në përvjetorin e parë të kësaj të fundit.

“Me mbështetjen e botës demokratike dhe tanimë është e qartë se e gjithë Rusia nuk mund ta fitojë luftën”, theksoi kryeministri shqiptar.

Lajmi u bë i ditur në median sociale “Facebook”, duke cituar video-mesazhin e kreut të Qeverisë.

“Ishin të shumtë ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh por ja ku jemi sot, 1 vit rezistencë, arritje, nën lidershipin guximtar të presidentit Zelensky”, u shpreh fillimisht Rama.

Kryeministri kishte vendosur ta regjistronte mesazhin nga Hiroshima duke cituar memorialin e të zhdukurve nga goditja e bombës atomike dhe pastaj muzeun “e tmerreve” të bombës atomike.

“Shtoj që të luash sot me fjalën bombë atomike sikur flet për kukulla është vërtet një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën, aleancën e të gjitha vendeve demokratike dhe mbi të gjitha vendosmërinë e secilit që ka respekt për lirinë, vlerat e demokracisë në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje të dështojë”, ravijëzoi në përmbyllje kryeqeveritari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore