Kosova

Përkrahja për Kosovën drejt BE-së, në fokus të takimit Orav-Kurti


Albin Kurti dhe Aivo Orav

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Aivo Orav, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka njoftuar se mëngjesin e së enjtes ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku ka përsëritur “mbështetjen e fortë” për rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Nder të takoja kryeministrin Kurti sot për të përsëritur mbështetjen e fortë të BE-së për rrugën evropiane të Kosovës dhe reformat rreth BE-së. Shpreha gatishmërinë time për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”, ka theksuar diplomati estonez.

Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku 27-shtetesh akoma nuk e ka marrë në konsideratë, kryesisht për shkak të tensioneve të vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë, dhe situatës së paqendrueshme në pjesën veriore të Kosovës.

BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës para një viti, përkatësisht në qershor të 2023-ës, posaçërisht për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Emërimi i Orav vjen në kohën kur marrëdhëniet Kosovë-BE janë gati në gradën e fundit.

Këshilli i BE-së ka emëruar diplomatin estonez në postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut në Prishtinë në korrik të këtij viti, duke pasuar kështu diplomatin çek, Tomas Szunyog, që ka shërbyer në këtë post që nga viti 2020. Orav, një diplomat me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomacinë evropiane, nacionale e rajonale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.

Osmani takon shefin e ri të BE-së në Prishtinë: Kosova ka mbushur kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore