Shqipëria

Përjashtohet gardisti pasi u arrestua për armëmbajtje pa leje


Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka firmosur të mërkurën e 9 gushtit përjashtimin e një 32-vjeçari nga radhët e agjencisë qeveritare.

Kjo, pasi u arrestua në flagrancë nga autoritetet, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

“Në kuadër të luftës kundër armëmbajtjes pa leje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Policia e Tiranës arrestuan në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, K.GJ., 32 vjeç”, sqaron njoftimi i Policisë së Shtetit duke vërejtur se gardisti u ndalua në orët e vona të së martës.

Sipas AMP-së, arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje.

Gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparatë telefonikë.

Hetimet po vijojnë dhe materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore