Kosova

Përfundon takimi i Kurtit me Shefin e CIA-s


Foto: REL

Ka përfunduar takimi në mes të Shefit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi që Burns është parë duke dalë nga ndërtesa e qeverisë.

Takim ka filluar në ora 09:00, dhe ka zgjatur përafërsisht një orë.

Ky takim i Burns me Kurtin, vjen një ditë pasi që kryespiuni amerikan u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës, në takim me Osmanin dhe Ajetin qëndroi përafërsisht rreth një orë.

Në lidhje me këto takime të së enjtes, nuk pati asnjë deklarim nga palët.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.

Për këto vizita nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.

Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet në pjesën Veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin e trazuar edhe përgjatë vitit 2023.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, paralajmëroi Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (ODNI).

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore