Kosova

Përfundon marshi, pjesëmarrje masive e shqiptarëve në mbrojtje të UÇK-së


Protesta Masive

Dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova e vise të tjera përreth ku banojë shqiptarë e kanë gjetur vetën në Prishtinë duke brohoritur “UÇK, UÇK”, të dielën e 2 prillit, një ditë para se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të fillojnë procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale.

Akoma nuk ka shifra zyrtare, por për nga masiviteti i pjesëmarrjes, marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe i përkrahur nga partitë politike, nismat qytetare, organizatat e shoqërisë civile, duhet të jetë një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe qysh nga paslufta.

Protesta Masive

Marshi u organizua këtë të diel, sepse nga e hëna fillon procesi gjyqësor kundër, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, të gjithë ish themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe funksionarë të lartë paslufte.

Kolonat e njerëzve ishin grumbulluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, te sheshi “Nënë Tereza” e deri te sheshet “Skënderbeu” e “Ibrahim Rugova”.

Fillimi i grumbullimit

Përveç organizatorëve, folës në tubim ka qenë edhe kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se këtë marsh tejet të madh po del se e ndiqnin live edhe vetë liderët e UÇK-së në Hagë.

“Në këto momente ata janë duke na përcjellur drejtpërdrejt nga Haga çlirimtarët tanë. Bashkimi jonë është ajo që i duhet Kosovës. Vetëm kështu ja kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën, dhe ta kërkojmë të drejtën”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrish, por një luftë ndërmjet lirisë dhe tiranisë, ndërmjet drejtësisë dhe të padrejtës, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit. Dhe ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës”, theksoi ai.

Protesta Masive

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, ka thënë se nëse ka drejtësi diku në botë, do të duhej parë që ish-pjesëtarët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, por gjithmonë duke shtuar se populli i Kosovës është ende i fortë.

“Ky popull është ende i fortë. Sot përkujtojmë 11 mijë viktima civile gjatë tmerrit, dikush e quan luftë por ne e kemi parë tmerr. I kemi 1133 të zhdukur, të gjithë këta prej kriminelëve dhe prej atij tmerri që dikush e quan konflikt”, tha Qerkini.

Edhe ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, ka thënë se nuk duhet të lejohet që historia të rishkruhet. Ai theksoi se UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por emër është i “sakrificës, martirëve dhe heronjve tanë”.

Marshi madheshtor

“Të gjykuarit në atë sallë të gjykatores nuk janë emra të përvetçëm sepse në këtë proces ata janë historia jonë dhe historia nuk do të lejojmë të rishkruhet. Drejtësia nuk guxon të instrumentalizohet nga politika sepse në atë rast pushon së qeni drejtësi”, ka thënë ai.

Ndërkaq, dy ideatorët e platformës “Liria ka Emër” që e kanë organizuar edhe “Marshin për Drejtësi” kanë mbajtur fjalimet e tyre para mijëra qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Eliza Hoxha, ka thënë se ashtu sikurse sot, është e bindur se sheshet e Prishtinës do të mbushen me njerëz sërish kur ish-pjesëtarët e UÇK-së do të kthehen nga Haga në atdheun e tyre.

Edhe iniciatori tjetër i këtij marshi, Ismail Tasholli, ka marrë fjalën para qytetarëve, duke thënë se UÇK-ja është emërues i përbashkët dhe vlera më sublime që vendi ka krijuar.

“Si fëmijë nuk arrija të kuptojë krejt peshën e asaj që po ndodhte. Por një gjë ishte e qartë për mua atëbotë. Si në filma epik ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes. Mes lirisë e robërisë. Mes jetës dhe vdekjes”, tha Tasholli.

Me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova zbarkuan të dielen në Prishtinë nga secila lagje e secili fshat me kërkesën e vetme: drejtësi për krerët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë të Holandës për krime të pretenduar lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore