Kosova

Përfundojnë me Kurtin – Borrell dhe Lajçak nisin takimin me Vuçiçin


Josep Borrell dhe Aleksander Vuçiç/22 qershor 2023

Ka nisur takimi bilateral ndërmjet Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Nevojiten ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës. Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte”, ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në “Twitter”.

Takimi filloi menjëherë pasi kryediplomati evropian Borrell dhe i dërguari i posaçëm Lajçak, zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa nga këto takime synohet që të arrihet një marrëveshje për qetësimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Albin Kurti dhe Josep Borrell/22 qershor 2023

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm dhe rrugën përpara”, ka shkruar paraprakisht kreu i diplomacisë evropiane, para takimit me kryeministrin Kurti.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre takimeve që kanë nisur të enjten e 22 qershorit, kryediplomati evriopian do të mbajë një konferencë për media lidhur me arritjen ose jo të ndonjë pajtueshmërie për përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore