Kosova

Përfshirja e deputetëve e ministrave në garën për zgjedhjet lokale – “shkakton ngecje në punën e Kuvendit”


Kuvendi i Kosovës

Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë pritet të shënojë ngecje në punët e nivelit qendror, meqë deputetë e ministra do të jenë në garë për kryetarë të komunave.

Sipas shoqërisë civile, energjia do të përqendrohet në garën për të fituar sa më shumë komuna duke lënë kështu në plan të dytë punët për të cilat kanë mandat.

Ligji nuk i ndalon deputetët e as ministrat që të jenë pjesë e garës për zgjedhje lokale dhe derisa të certifikohen për mandatin për të cilin kanë garuar, ata mbajnë njëkohësisht postin tjetër në institucione.

Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës dhe fushata zgjedhore do të fillojnë në javën e tretë të shtatorit, por drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, vlerëson se angazhimi i politikanëve në fushatë zgjedhore do të pengojë në punën në Kuvend.

“Do të jetë sfidë në vete kur e ke parasysh që janë zgjedhje të rregullta, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë dhe vërtetë di të jetë sfidë, jo vetëm sa i përket anës së Kuvendit por njësoj e kemi edhe me ministrat të cilët kandidojnë për kryetar të komunave dhe puna e tyre do të jetë një hendikep derisa nuk e lirojnë pozitën aktuale që të merren vetëm me fushatë gjatë zgjedhjeve”, thotë Demolli-Nimani.

Ndërsa Emir Abrashi nga Demokraci Plus, potencon se mungesa e deputetëve në komisione parlamentare e në seanca do të jetë e shtuar gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

“Partitë duhet të kenë parasysh edhe interesin e qytetarëve para se të marrin veprimet, po përtej edhe interesit të qytetarëve duhet të kenë parasysh që një pjesë e ligjeve janë ligje të cilat direkt ndikojnë në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, andaj në të tilla raste duhet të jenë serioz dhe nuk duhet t‘i shmangën Kuvendit me arsyetimin se gjenden në fushatë”.

Sipas tij, qytetarët më 14 shkurt kanë votuar për ndryshim dhe ky ndryshim bëhet nga ekzekutivi dhe legjislativi dhe zgjedhjet lokale nuk janë ndryshimi për të cilin është votuar më 14 shkurt”.

Përveç deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK e AAK, në garë për zgjedhjet lokale është edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për çka është kritikuar për këtë vendim në kohën kur vendi po përballët me numër të madh të të infektuarve me COVID-19.

“Situata me pandeminë do të duhej të jetë prioritet si për qeverinë si për kuvendin, nuk jemi duke e parë një gjë të tillë, e kemi vet ministrin e Shëndetësisë që ka konkurruar për kandidat në zgjedhjet komunale të Prishtinës, andaj është sfidë në vete se do të jetë prioritet shëndetësia apo kandidimi i tij për kryetar të komunës së Prishtinës”, shton Demolli-Nimani për KP.

Fushata zgjedhore fillon më 16 shtator dhe zgjat një muaj ndërsa zgjedhjet lokale mbahen më 17 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore