Lajme

“Për tri vjet u ngacmova seksualisht nga arsimtari im, gjykate e dënoi me veç 1200 euro gjobë”


Fotoilustrim

Medinë Dauti, aktiviste në organizatën QIKA, ka bërë publike se si për tri vjet me radhë ishte ngacmuar seksualisht nga arsimtari i saj dhe ngacmimet nuk ishin ndaluar as pasi e kishte paraqitur në polici.

Gjykata më pas e kishte dënuar ngacmuesin, por vetëm me gjobë me një shumë simbolike prej 1200 eurosh.

“Me 29 dhjetor 2021, Kastriot Kurtin e raportova në Policinë e Kosovës për shkak se më kishte ngacmuar seksualisht që nga viti 2019”, shkruan Medina në Facebook.

“Ish-arsimtari im Kastriot Kurti, në vitin 2019 më ka thënë se dëshironte të hynte në lidhje dashurie me mua. Unë e refuzova qartë dhe prerë, por ai vazhdoi të më shqetësojë e të më ngacmojë seksualisht për tri vite dhe nuk u ndal as pasi e raportova në polici, e as pasi që gjykata e shpalli fajtor për ngacmim”.

Më pas, ajo tregon se si për tri vjet, “ai shfaqej dhe afrohej në secilën hapësirë që unë isha; kafiteri, rrugë, evente të ndryshme, vinte më fliste, tentonte të më përqafonte dhe ulej në tavolinë kundër vullnetit tim”.

“Unë e pata bllokuar Kastriotin në çdo rrjet social, por ai vazhdoi të më shkruante me profile të rrejshme, madje një herë edhe nga llogaria e familjares së tij. Ai ka qenë edhe asistent i jashtëm në të njëjtin fakultet ku unë studioja, për mua as ajo hapësirë nuk ka qenë e sigurt”.

Medina ka treguar detaje nga ngacmimet që i vinin prej ish arsimtarit të saj.

“Kastrioti nuk ndalej! Tërë kohën më shkruante se më ‘dashuron’, se më ‘dëshiron’, se unë isha ‘e dashura e tij’, se dëshiron ‘të më shtrydhë’, ‘të më mbajë shtrëngueshëm’, etj”.

“Çfarë ka ndodhur me mua në tri vitet e ngacmimit seksual të vazhdueshëm? Jam izoluar gjatë tërë kësaj kohe dhe kam reduktuar kontaktin tim me botën”, shkruan Medina.

“Asnjëherë s’kam guxuar të dal shlirë e vetme! Një situatë si kjo që të bën të ndihesh se nuk do të mbarojë kurrë, që të bën të mendosh se është fundi i botës dhe pret dita e ditës që ngacmuesi do të shfaqet dhe do t’i bëj gjërat më të tmerrshme ashtu siç i ka shprehur në mesazhe – është ngufatje dhe terrorizim i komplet qenies sime! Veprimet e tij më kanë cenuar thellësisht integritetin tim seksual dhe psikik; gjendja ime emocionale ka qenë dhe vazhdon të jetë e rënduar për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm”.

Ajo në statusin e saj ka treguar edhe se si organet e drejtësisë vendosën ta dënojnë ngacumesin me vetëm 1200 euro.

“Çka e bën më shqetësues këtë dënim është që gjyqtari ia pranoi si rrethana lehtësuese Kastriot Kurtit: kërkim faljen dhe premtimin e tij se nuk do ta përsëriste më veprën penale – Zoti Gjykatës, nuk e morri parasysh kur avokatja ime ia sqaroi që kërkim falja nuk duhet të pranohet, sepse i njëjti kishte kërkuar falje për tri vite, dhe prapë kishte vazhduar të më ngacmonte! Ndërsa, në gjykatë asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do ta përsërisë më veprën penale”.

Familja e arsimtarit të dënuar e ka mohuar akuzën e Medinë Dautit, duke thënë se “së pari, Kastrioti kurrë nuk e ka pasur nxënëse paditësen M.D. (22-vejçare)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore