Lajme

Për një vit – VV mori mbi 2 milion, PDK-mbi 600 mijë, LDK-mbi 500 mijë e AAK-më pak se 300 mijë euro


Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë këtë të premte ka publikuar raportin e të hyrave për partitë politike në Kosovë, të cilat u realizuan në vitin e kaluar.

Nga janari deri në dhjetor të vitit 2022, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar 2 milion e 52 mijë e 868 euro. Prej të cilave 1 milion e 990 mijë e 255 euro nga buxheti i shtetit dhe 29 mijë e 943 euro si donacione dhe kontribute në të holla dhe 32 mijë e 670 euro si të hyra të tjera.

Për 12 muaj kalendarik VV nga këto të hyra ka shpenzuar gjysmën e tyre, 1 milion e 308 mijë e 147 euro.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka pranuar të hyra 673 mijë e 710 euro të hyra. Prej kësaj shumë si total, PDK kishte pranuar 660 mijë e 538 euro nga buxheti i shtetit, 1 mijë euro si donacione dhe kontribute të tjera dhe 12 mijë e 172 euro si të hyra të tjera. Ndërkohë që ka shpenzuar 612 mijë e 638 euro.

Sipas këtij raporti, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra gjithsej 526 mijë e 200 euro. Prej këtyre të hyrave, LDK ka pranuar 525 mijë euro nga buxheti i shtetit, dhe 1 mijë euro si donacion. Por ka shpenzuar 428 mijë e 524 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vitit 2022 ka pasur 279 mijë e 700 euro të hyra. Të gjithë këtë shumë AAK, ka deklaruar se e ka pranuar vetëm nga buxheti i shtetit dhe 0.0 cent donacione ose të hyra të tjera. Nga këto të hyra, kjo pati ka deklaruar se ka shpenzuar 219 mijë e 370 euro.

KQZ ka bërë me dije se këto shifra mund të ndryshojnë pas auditimit, pasi që aktualisht këto të dhëna tabelare të publikuara këtë të premte janë të pa audituara nga auditorët e jashtëm.

Si ishte gjendja në vitin 2021?

Një vit më parë se ky raport i publikuar nga KQZ, në vitin 2021 Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë 2 milion e 105 mijë e 590 euro në total. Prej të cilave 1 milion e 655 mijë e 326 nga buxheti i shtetit dhe 417 mijë e 453 euro si donacione dhe kontribute në të holla.

PDK kishte pranuar 823 mijë e 68 euro si total. Prej tyre, 647 mijë e 81 euro nga buxheti i shtetit, 31 mijë e 349 euro si donacione dhe kontribute në të holla, 9 mijë e 454 euro si të hyra të tjera dhe 135 mijë e 182 euro nga fushata zgjedhore.

Prej kësaj shume, për një vit PDK kishte shpenzuar 872 mijë e 605 euro, ose 49 mijë e 537 euro më shumë sesa kishte të hyra.

LDK kishte pranuar 583 mijë e 492 euro të hyra në total për një vit kalendarik gjatë vitit 2021. Prej këtyre parave, kjo parti kishte marrë 285 mijë e 457 euro nga buxheti i shtetit dhe 298 mijë e 034 euro si të hyra të fushatës. Ndërsa përgjatë këtij viti kishte shpenzuar 1 milion e 178 mijë e 784 euro, apo 595 mijë e 292 euro më shumë sesa që kishte pranuar të hyra.

Përgjatë 12 muajve të vitit 2021 AAK kishte pranuar 294 mijë e 969 euro në total. Prej të cilave 292 mijë e 719 euro nga buxheti i shtetit dhe 2 mijë e 250 si donacione dhe kontribute në të holla. Ndërsa kishte shpenzuar 477 mijë e 947 mijë euro, gati gjysma e shumës së pranuar në buxhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore