Lajme

Pendarovski: Atë që po e kërkon Bullgaria, s’e kërkojnë as pushtuesit


Presidenti i Maqedonise se Veriut, Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i është përgjigjur kërkesës së ministrit të Jashtëm bullgar për tu bërë pjesë në procesin e ndryshimeve të kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, duke e konsideruar “skandaloze” këtë kërkesë së tij.

“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde dhe joshembullore të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë drejtim përgjigja jonë e djeshme përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë në vend”, deklaroi presidenti Pendarovski.

Ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikolaj Milkov, ka thënë të mërkurën, pas takimit me kryediplomatin maqedonas, Bujar Osmani, se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procedurën për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

“Natyrisht që atmosfera atje e lejon këtë të ndodhë. Ka elemente të mosndëshkimit që e favorizojnë atë. Tani, me sa dimë, atje (në Shkup) tashmë po diskutohen disa variante të teksteve të ndryshimit të Kushtetutës. Ne do të donim të ishim pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të ecë pa probleme. Ne dëshirojmë të konsultohemi për këto çështje”, ka deklaruar ministri i jashtëm bullgar.

Por, edhe ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës bullgare është shprehur kundër.

“Procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e vendit, obligim që ndërlidhet me negociatat për anëtarësim në BE”, është thënë nga MPJ-ja maqedonase.

Ndryshimet kushtetuese janë obligim që janë pranuar nga marrëveshja në mes të Shkupit dhe Sofjes bazuar në “propozimin francez”, ku parashihet zgjidhja e kontesteve për gjuhën, identitetin, çështjet historike, dhe gjithashtu përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë.

Për të filluar Maqedonia e Veriut hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian, bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e saj.

Bullgaria, e cila është vend anëtar i BE-së, kishte vendosur veto në vitin 2020 ndaj nisjes së bisedimeve mes Brukselit dhe Shkupit, por ka sinjale që këtë do ta përsërisë përsëri gjatë procesit të Maqedonisë drejt BE-së, kjo siç është thënë nga Bullgaria nëse nuk përmbushen detyrimet nga marrëveshja e vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore