Kosova

Peci: Çdoherë kur kam kandiduar kam fituar – s’shoh arsye të dalë kundër vetes


Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se nuk do të dalë për të votuar, meqë sipas tij, kjo procedurë është nisur nga Lista Serbe dhe se nuk e sheh të arsyeshme “të dalë kundër vetes”.

“Çdoherë kur kam kandiduar kam fituar. Shpresoj se nëse kandidoj prapë do të fitoj”, tha ai gjatë një deklarimi për KTV-në.

Edhe kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka potencuar se nuk do të dalë të votojë.

“E kam parë se nga pjesa e madhe e qytetarëve edhe si kryetar e si kabinet jam i pranueshëm, jam i preferuar, nuk ka ndonjë kundërshtim tani, në përjashtim në fillim që grupet kriminale i detyronin të protestonin. Situata ka ndryshuar”, theksoi Zeqiri.

Në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, deri në orën 11:00, sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, kanë votuar vetëm 85 persona.

“Qendrat janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim. Në Leposaviq 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 32 votues”, tha Radoniqi në një konferencë për media.

“I ftojmë të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe deklarohen nëse janë për ose kundër largimit nga funksioni i kryetarëve”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore