Kosova

(Pa)siguria në Kosovë: Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të enjten në Prishtinë


Thomas Goffus

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Operacionale të NATO-s, Thomas Goffus, i cili ka shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Evropën dhe politikën e NATO-s në Shtetet e Bashkuara (SHBA),  do të qëndrojë të enjten (nesër, 29 gusht) në Prishtinë, ka njoftuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se Kosovën, javën e ardhshme, do ta vizitojnë edhe dy ministra të Punëve të Jashtme të dy vendeve anëtare të NATO-s, por nuk ka dhënë detaje të hollësishme. Në Prishtinë ka qëndruar këtë javë edhe Shefi i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Stuart B. Munsch, në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.

Ndryshe, vizitat e nivelit të lartë në Prishtinë vijnë pas asaj të Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Boris Ruge, në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe inciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Prishtinës e Bogradit dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore