Lajme

Pas vizitës së Shefit të CIA-s në Serbi e Bosnje, takohen Vuçiç e Dodik


Millorad Dodik dhe Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar të enjten me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

Ky takim i Vuçiç-it me Dodik-un vjen pasi që Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, vizitoi fillimisht Bosnje e Hercegovinën dhe më pas Serbinë.

“Bisedë shumë e mirë me Presidentin e Republikës Srpska Dodik. Takimi dominoi tema ekonomike, por ne bëmë një analizë të përbashkët të mundësive globale dhe rajonale”, shkroi Vuçiç në Facebook.

Kreu i Serbisë bëri me dije se në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme serbe, Ivica Daçiç, dhe “një nga temat ishte lufta kundër migrimeve të paligjshme”.

“Presidenti Dodik dhe unë i kushtuam vëmendje të veçantë infrastrukturës, lidhjeve rrugore, hekurudhore dhe energjetike të Serbisë dhe Srpska”, përfundoi.

Pas vizitës së Burns në Bosnje e Hercegovinë, autoritari Dodik u tërhoq nga edhe nga deklarimet e tij sa i përket shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnje e Hercegovina, duke theksuar se ai s’e ka kontestuar sovranitetin e BeH-së në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

Dodik u shpreh se “lufta kundër terrorizmit është detyrë e gjithë botës së lirë dhe në këtë kuadër është domethënëse vizita e drejtorit të CIA-s, William Burns në Bosnje e Hercegovinë”.

“Republika Srpska është e përkushtuar ndaj asaj lufte dhe mirëpret çdo bashkëpunim në atë fushë, tha ai, dhe më pas shtoi se “Republika Srpska kurrë nuk e ka kontestuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe shkëputja nuk ka qenë politika jonë…”, potencoi ai ndër të tjera.

Ndërsa, pas Bosnjës dhe Serbisë, një avion ushtarak amerikan, me të cilin besohet e ka udhëtuar shefi i CIA-s, është parë në aeroportin e Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore