Shqipëria

Pas dy muajsh protestë në aksin Thumanë-Kashar, pranohet kërkesa e banorëve për hyrje – dalje në zonat e tyre


Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë dega Krujë, Sabah Sheta, bën me dije se banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë realizuar kërkesën e tyre për të pasur hyrje dhe dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

Përmes një postimi në Facebook, Sheta shprehet se pas takimit që pati përfaqësia e qytetarëve të Krujës me zv.kryeministren dhe ministren e Transporteve Belinda Balluku, është pranuar “kërkesa e drejtë dhe legjitime nga qeveria për të pasur akses në rrugën Thumanë-Kashar”.

Ai më tej shpreh falenderime për secilin banor që u bashkua protestës të cilët nuk u tërhoqën në asnjë moment derisa fituan dhe pse me vonesë të drejtën që u ishte mohuar.

Janë 85 mijë banorë që ndjehen të izoluar për shkak se aksi i ri rrugor nuk ka asnjë nyje lidhëse, duke mos i dhënë asnjë mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të kenë akses.

E vetmja dalje është 23 km, ndërkohë që i gjithë aksi rrugor është 21 km.

Banorët akuzojnë ministren e Infrastrukturës Belinda Ballukun, ARRSH-në dhe firmën që zbatoi projektin.

Së fundmi qytetarët kanë protestuar edhe para Kuvendit.

“Si qytetar krutan, si opozitar garantoj që ne do të qëndrojmë të bashkuar për të arritur atë që duam, për të zhbërë një padrejtësi. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se kishim dhe se na takon”.

“Kjo nuk ka për të ndodhur, ndaj qeveria duhet që sa nuk është vonë, sa më shpejt t’i japin zgjidhje një problemi të krijuar prej tyre. Duhet në mënyrë urgjente që një dalje të hapet që banorët e Njësisë Administrative të Bashkisë Krujë të mos shkojnë deri në Kashar dhe të kthejnë më pas për të ardhur në familjet e tyre. Kjo është tallje, kjo është padrejtësi dhe ne nuk do të pajtohemi”.

“I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë tubimet paqësore që lidhen me një të drejtë themelore, lëvizjen e lirë, që krutanët të shkojnë në shtëpitë e tyre si gjithë shqiptarët!”, thuhet në një postim në mediat sociale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore