Kosova

Pas akuzave të Kurtit për njëanshmëri, BE i jep “mbështetje të plotë” Lajçak-ut


Bashkimi Evropian përmes një deklarate për media ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga Kosova dhe Serbia edhe pse të dyja vendet kanë rënë dakord për pikat, derisa i ka dhënë “mbështetje të plotë”, përfaqësuesit special Miroslav Lajçak, pas akuzave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për anshmërinë e tij në proces.

“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër dialog të lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në reagim.

Në reagim BE-ja po ashtu u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e dialogut të kaluar.

“Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”.

BE-ja po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në Veri të Kosovës dhe të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. .

“BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”.

Sipas BE-së, pavarësisht thirrjeve të përsëritura hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në Veri mbetet e tensionuar.

“Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve”.

BE-ja i ka cilësuar si shqetësuese edhe sulmet e vazhdueshme nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policëve serbë të Kosovës dhe ka kërkuar që të ndalen menjëherë.

“Bllokimi i udhërrëfyesit nga ana e Serbisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut”.

Po ashtu sipas BE-së masat ndëshkuese ndaj Kosovës mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.

“BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”.

“BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore