Kosova

Partia e ekstremit të majtë në Maqedoni: Qeveria po e bënë shtetin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në trazirat në Kosovë


Kryetari i Levices, Dimitar Apasiev

Partia e majta ekstreme në Maqedoninë e Veriut “Levica”, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë maqedonase për të dërguar 31 ushtarë të Forcave të Armatosuara maqedonase në Kosovës, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Fillimisht, në komunikatën e kësaj partie thuhet se për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Veri të Kosovës, është përgjegjës, sipas tyre kryeministri Albin Kurti.

“Në muajt e fundit shpesh kemi qenë dëshmitarë se si autoritetet e Prishtinës, në krye me Albin Kurtin, po shkaktojnë destabilitet në Veri të Kosovës duke zbatuar politika represive duke ushtruar dhunë klasike ndaj popullatës paqësore serbe në Kosovë”, pretendojnë ata.

Ndërkaq, nga kjo parti, të cilët kanë qasje anti-perëndimore, pretendojnë se “represioni” – i supozuar nga ta – ndaj serbëve të Kosovës bëhet kinse me ndihmën e KFOR-it.

“Represioni mbi popullatën që përpiqet të mbrojë të drejtat e veta elementare në Veri të Kosovës vështirë se do të ishte e mundur nëse nuk do të ekzistonte darë imperialiste e KFOR-it. Përkatësisht, në shumë raste pjesëtarët e KFOR-it përdorën forcë të tepruar për të mbytur protestuesit që luftonin legjitimisht për të drejtat e tyre të shkelura nga pushteti represiv, duke qëndruar në anën e më të fortëve dhe të armatosurve dhe kundër popullit të thjeshtë”, pretendojnë ata.

Tutje, nga “Levica”, potencojnë se koalicioni qeverisës, SDS-së – e udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, dhe Bashkimi Demokratik për Integrim – partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut – që udhëhiqet nga Ali Ahmeti, me vendimin për të dërguar 31 ushtarë maqedonas në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, sipas tyre “po marrin pjesë në represionin” ndaj serbëve të Kosovës.

“Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së javën e kaluar kanë marrë vendim për dërgimin e 31 pjesëtarëve të ushtrisë maqedonase për të marrë pjesë në ‘operacionin e KFOR-it në KiM, për një periudhë 6 mujore’! Me këtë vendim, qeveria kukull vazhdon pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në represionin e popullit serb të Kosovës, represion i cili kryhet në korrelacion dhe nën stafetën e ‘partnerëve tanë strategjikë’”.

Levica, si dhe mbi nëntëdhjetë për qind e popullatës maqedonase, pretendojnë ata “e dënojnë këtë veprim të qeverisë”.

“Maqedonia nuk duhet të marrë anë në një konflikt të tillë dhe aq më pak të jetë bashkëpunëtor në represionet e kryera nga aleanca ushtarake”.

Ndërsa, të njëjtit kanë kërkuar që ushtarët maqedonas në kuadër të misioneve të NATO-s nëpër botë të tërhiqen, duek përfshirë këtu edhe ata që janë në Kosovë.

“Në frymën e parimeve të platformës sonë, ne bëjmë thirrje që ushtarët maqedonas të tërhiqen jo vetëm nga Kosova, por nga të gjitha misionet ushtarake të NATO-s, të kryera për interesat fitimprurëse dhe imperialiste të vendeve të caktuara të Perëndimit kolektiv. Sipas angazhimeve programore, e majta mbron që ushtria maqedonase të mund të marrë pjesë vetëm në aksionet humanitare që janë nën kujdesin e OKB-së”, përfundojnë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore