Kosova

Osmani uron “diktatorin më ‘cool’ në botë” për ditën e pavarësisë


Vjosa Osmani dhe Nayib Bukele

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e El Salvadorit, Nayib Bukele, për shënimin e ditës së pavarësisë, ndërsa ka shprehur bindjen se lideri populist e autoritar i shtetit të vogël në rajonin e Amerikës Latine do të ndërtojë “një të ardhme më të ndritshme” për salvadoranët.

“Lidhja midis popujve dhe vendeve tona liridashëse është e fortë dhe ne nderojmë këtë partneritet të qëndrueshëm. Ju uroj paqe, prosperitet dhe progres të vazhdueshëm ndërsa ndërtoni një të ardhme më të ndritshme”, ka shkruar presidentja Osmani në platformën “X” të dielën në mbrëmje.

Presidentja Osmani kishte marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Bukele, i cili ishte rizgjedhur për të udhëhequr El Salvadorin edhe për një mandat pesëvjeçar në maj të këtij viti. Ai është i njohur për vendosjen e El Salvadorit në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për politikat e kriptovalutave.

Ndryshe, nga shumë analistë politikë e gazetarë, ish-kryetari i San Salvadorit është cilësuar udhëheqës autoritar. Madje, në vitin 2021, vetë Bukele e ka cilësuar veten “diktatori më ‘cool’ në botë” duke nxitur shumë reagime në vend. El Salvadori ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore