Kosova

Osmani udhëton në Bruksel, merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar këtë të marte për në kryeqendrën evropiane, Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur nga zyra e presidentes Osmani, derisa kanë njoftuar se ajo atje do të shkojë me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, e para e vendit do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit “në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës”.

Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të këtij samiti, Osmani po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, “pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator”, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore