Shqipëria

Osmani pret vizat, Rama “asgjë”


Premisat e Samitit të Bashkimit Evropian, i cili po zhvillohet në Bruksel, paralelizuan dy reagime të ndryshme të politikës shqiptare dhe kosovare që në pikënisjen e tij.

Fillimisht, ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se pret një mesazh të qartë nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jam këtu për të dërguar një mesazh të fortë, në emër të popullit të Kosovës, pasi na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Evropian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë që lihet jashtë, faktorët maliciozë sigurisht se do ta përdorin”, deklaroi ajo para mediave të huaja.

Osmani i referohet dhënies së dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave, si një perspektivë e qartë e të gjithë anëtarësisë.

Kujtojmë që, për dy ditë radhazi, Bruksel-i do të mirëpresë liderët e 27 vendeve të BE-së.

Samiti i paraprin një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në orën 09:30, në ndërtesën e Këshillit Evropian, filloi takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë takim pritet shkëmbimi i mendimeve me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Kjo, për mundësitë e forcimit të procesit të anëtarësimit, përkatësisht për përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE.

Pikërisht për këtë të fundit, kryeministri shqiptar Edi Rama u deklarua “pa dorashka”.

“Jua kam thënë dhe po e përsëris, përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Por nëse do të zgjidhet, do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje”.

Duke ironizuar qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së, sipas Ramës, vetoja bullgare po mban peng dy vende të NATO-s.

Kjo, vuri theksin kryeqeveritari, po ndodh “nën sytë” e 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së.

“Është turp që Bullgaria rrëmben dy vende të NATO-s në mes të një lufte të nxehtë në Evropë. Kjo situatë po ndodh nën vështrimin e 26 shteteve të tjera, që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në romanin e famshëm”, u shpreh më tej Rama.

Kryeministri theksoi se “Open Balkan” është përgjigjja e vërtetë, ndërsa rruga e integrimit do vazhdojë.

Por, vijoi se, shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajon dhe “nuk do të presim Evropën që ta bëjë këtë”.

Nga Brukseli, ai deklaroi sërish se “Open Balkan” është i hapur për këdo.

Kjo nismë rajonale ka bërë bashkë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, të cilat kanë për synim lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve pa pengesa kufitare, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk e kanë përqafuar këtë nismë.

Sakaq, Osmani ndryshe nga Rama, iu adresua Këshillit Evropian, duke lënë në “ndërgjegjen” e tyre vendimin për liberalizimin e vizave.

“Ne kemi plotësuar kushtet 4 vjet më parë. Tani është koha të na mbështesin, sepse është padrejtësi e madhe në raport me Kosovën. Bëhet fjalë për principin bazik për lirinë e lëvizjes. Kemi plotësuar të gjitha kritiket. Komisioni ka rekomanduar liberalizimin e vizave, parlamenti evropian ka votuar pro”.

Sipas saj, tani i mbetet Këshillit Evropian, si institucion ekzekutiv brenda strukturës së komplikuar organizative të BE-së që të mundësojë lëvizjen e lirë për kosovarët.

Vendimi për vizat, më shumë sesa plotësim kushtesh nga Kosova, është vullnet politik i anëtarëve që, të paktën, të mos e bllokojnë procesin me veto, shtoi Osmani.

Presidentja ritheksoi në përmbyllje se “për Kosovën vullneti i popullit për integrime evropiane dominon gjithçka tjetër”.

Konferenca e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet të enjten e 23 qershorit në Bruksel.

Ajo do të përkojë me ditën e dytë të sesionit të planifikuar të Këshillit Evropian më 23 dhe 24 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore