Kosova

Osmani për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Është një histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Epopeja e UÇK-së, nuk është vetëm një histori lufte dhe beteje, “por një histori e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe shpresës”.

“Është një histori sakrifice, por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Këta burra e gra ju përgjigjen kushtrimit për liri, luftuan për ta mbrojtur Kosovën. Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij”, tha Osmani.

“Kjo ngjarje i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriot si komandanti legjendar Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza dhe djem të UÇK-së, trimëria dhe vendosmëria e të cilëve ëndërron tonë shekullore për çlirim dhe shtete e bën realitet”.

Sipas, saj, “Kosova është amaneti i tyre. E tashmja e ardhmja e brezave. Populli i Kosovës u bashkua, luftoi e bashkë dolëm fitimtarë”.

“Ju jeni garanca e krenaria jonë. Duke nderuar përjetësisht Jasharjt legjendarë, Prekazin historik, e të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar para në rrugëtimi ne pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë, ruajtjen e mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit të vendit të pavarur. Jam krenare me çdo ushtarë tonin”, tha Osmani.

Ndërsa, Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, ka kërkuar që “për hir të gjakut të bijve tanë, të bëhemi bashkë e t’i arrijmë qëllimet shekullore”.

“Ishalla Zoti na ndihmon e i arrijmë qëllimet tona shekullore. Për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të gjejmë gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet deri në maksimum, si gjitha shtetet që ekzistojnë në botë. Lavdi dëshmorëve e gjithë të rënëve”, theksoi Jashari.

25 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore