Kosova

Osmani merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë këtë të dielë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i fillon punimet në New York, ku do të marrin pjesë liderë nga mbarë bota.

Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.

Ndërsa gjatë ditës është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu në njoftim theksohet se fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore.

“BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, thuhet në njoftimin KE-së.

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore