Kosova

Osmani e Kurti rikonfirmojnë angazhimin e Kosovës në mbrojtje të demokracisë


Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, ka rikonfirmuar angazhimin e vendit të vogël për të qëndruar pranë partnerëve dhe aleatëve në mbrojtje të vlerave demokratike, duke thënë se Kosova është shembull në rajon dhe një nga demokracitë me përparimin më të shpejtë në botë.

“Në këtë ditë të veçantë, unë rikonfirmoj angazhimin e shtetit tonë për të qëndruar me partnerët dhe aleatët tanë – për të punuar së bashku e për të siguruar edhe një herë që qeverisja e popullit, nga populli, për popullin, të mos zhduket nga faqja e dheut”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar, derisa ka veçuar rrezikun që i kanoset demokracisë nga autoritarizmi në rritje.

“E megjithatë, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, puna jonë është ende e paplotë. Të kujtojmë se sa shumë kemi luftuar për të arritur në këtë pikë – dhe sa fort duhet të luftojmë për të mbrojtur demokracitë e botës nga kërcënimet e binjakëzuar të autoritarizmit nga brenda dhe agresionit nga jashtë”, ka shtuar ndër të tjera lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, derisa ka theksuar rëndësinë e aleancave, ka shkruar shkurt: “Demokracia është aq e fortë sa vullneti i njerëzve për ta përqafuar, aq elastike sa vendosmëria jonë për ta mbrojtur dhe aq e fuqishme sa rezistenca jonë kundër fuqive që duan ta minojnë”.

Bota shënon ditën ndërkombëtare të demokracisë çdo 15 shtator.  Kjo datë është përcaktuar në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.

Në raportin e përvjetëshëm të publikuar në mars nga instituti “V-Dem” mbi trajektoren e demokracive në nivel global, në kategorinë e “demokracive elektorale” bën pjesë edhe Kosova – në këtë pozitë që prej vitit 2014. Gjiashtu, raporti i “V-Dem” ka vlerësuar se niveli i demokracisë që gëzon mesatarisht një person në botë është ulur në nivelet e vitit 1985 – gati 40 vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore