Lajme

Opozita në Serbi paralajmëron protestë në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviçit


Ilustrim

Zdravko Ponosh, kryetar i lëvizjes “Qendra e Serbisë (Srce)” dhe një ndër udhëheqësit e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës (SPN)”, ka paralajmëruar të martën se protesta e radhës do të mbahet më 16 janar 2024, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së politikanit kontravers serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, raportojnë mediat serbe.

“Sot kemi pasur një takim të koalicionit dhe kemi rënë dakord që t’i ftojmë të gjithë qytetarët më 16 janar, ditën e vrasjes së Ivanoviçit. Ne kemi zgjedhur një datë të përshtatshme, andaj do të informojmë publikun me më shumë detaje në ditët vijuese”, ka njoftuar ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë në një paraqitje televizive të martën.

Ivanoviç ishte vrarë më 16 janar të vitit 2018 para ndërtesës së partisë në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar pesë vjet dhe përkundër faktit se hetimet për vrasjen e politikanit serb janë duke vazhduar në Kosovë dhe Serbi, çështja ende nuk është zbardhur nga autoritetet.

Protesta e fundit e opozitës së bashkuar rreth SNP-së ishte mbajtur të premten e 29 dhjetorit 2023 para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb, derisa qindra protestues kishin tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte për rezultatet e zgjedhjeve.

Në Serbi ka nisur një valë e protestave nga vera e vitit të kaluar dhe kulmimit të tyre pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mohuar akuzat për vjedhje gjatë procesit elektoral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore