Kosova

Oficerët e FSK-së stërviten nga ushtria turke për përdorimin e antitankut HAR-66


Foto: FSK

Oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë zhvilluar trajnime teorike e praktike me instruktorë të ushtrisë turke për përdorimin e HAR-66, një sistem i avancuar antitank i industrisë turke, i cili ofron një zgjidhje efektive për të përballuar kërcënimet nga mjetet e blinduara në fushën e betejës.

Në njoftimin e FSK-së krahas fotografive të postuara në “Facebook” të dielen në mbrëmje, thuhet mes tjerash se trajnimi synon ngritjen e kapaciteteve profesionale. FSK-ja ka njoftuar ndër të tjera se trajnimi për antitankun HAR-66 është realizuar në kuadër të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.

“Instruktorë të ushtrisë turke realizuan trajnim teorik e praktik në përdorimin e antitankut HAR-66, duke përgatitur e trajnuar nënoficerët e oficerët e Kosovës, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale ushtarake me standardet e vendeve të zhvilluara, duke krijuar kështu ndërveprueshmëri me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë globale”.

Një nga aspektet kyçe të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Turqisë është trajnimi i FSK-së. Turqia ofron kurse të specializuara për ushtarët kosovarë, duke përmirësuar aftësitë e tyre dhe duke kontribuar gjithashtu në transformimin e FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore